Site icon Telegrafi

Racizmi “intelektual”!

“Unë para së gjithash jam njeri, dhe krejt rastësisht jam francez” – Volter

Racizmi dhe intelektualiteti janë dy gjëra diametralisht të kundërta. Aty ku ka racizëm nuk ka intelektulizëm dhe e kundërta, ndaj edhe racisti dhe intelektuali janë dy antipodë, që i rrinë përballë njëri-tjetrit dhe kurrë s mund të jenë bashkë. Intelektualin e karakterizojnë këto veti: dyshimi, arsyeshmëria, pakufizueshmëria ( gjerësia e shtrirjes), guximi dhe e vërteta.

Ai është dyshuesi më i madh, nisur nga ajo se asgjë s’është e dhënë njëherë e përgjithmonë dhe se asgjë s’është në mënyrë ideale e përkryer. Pra, ai dyshon dhe njëkohësisht lufton për ta bërë më të mirën e mundshme, duke qenë dyshues për atë që s është arritur deri në momentin e dhënë. Dhe, falë këtij dyshimi intelektual, bota ka njohur dhe do njeh akoma zhvillimet më të mëdhatë dhe më të paparashikueshmet. Në këtë mënyrë, intelektualiteti dhe intelektualët për çdo ditë e më shumë i përafrohen shëmbëllimit të Zotit, apo, bëhen mishërim i tij në tokë dhe janë prore në kërkim dhe zbulim të së panjohurës.

Ata dallojnë nga të tjerët e botës së amshueshme, sepse, në vend të frikës para së amshueshmes, ata të panjohurën e zbulojnë dhe e kthejnë në paamshueshmëri. Të tillë ishin Avicena, Hipokrati, Arkimedi, Pitagora, Lenardo da Vinçi, Xhordano Bruno, Koperniku, Galileu, Njutni, Ajnshtajni, por edhe Bill Gejts e Stiv Xhobs dhe shumë e shumë të tjerë.

Por, përpos dyshues të mëdhenj, intelektualët janë edhe të arsyeshëm. Ata gjithmonë udhëhiqen nga parimi që faktet të jenë në rend të parë. Ata kanë parasysh që gjuha gjithmonë të jetë në koherencë me mendjen dhe gjithmonë ajo, gjuha, i vete prapa mendjes, arsyetimit. Ata i karakterizon arsyetimi shkencor, faktet dhe ato bëhen mbështetëse të arsyetimit të tyre. Ata nuk rrahin ujë në havan, por gjithmonë havanin e mbushin me ujë, sepse ata janë vetë jeta, ajo, e panjohura, e cila bëhet e njohur, përmes tyre. Ata janë teorema (e Pitagorës), ligji (i Njutnit), arti dhe arkitektura (i Leonardo da Vinçit),interneti (i Bill Gejtsit), smarfonët (e Stiv Xhobsit), pafundësia e deteve dhe galaktikave (e Zhyln Vernit ) etj.

Por, ata kanë edhe një dimension tjetër, pakufizueshmërinë, apo gjerësinë hapësinore dhe kohore. Ata flasin edhe shqip, edhe serbisht, por edhe gjermanisht, hebraisht e kinezisht. Ata vijnë që nga epoka parakristiane, kalojnë përmes historisë njerëzore dhe ecin drejt pafundësisë. Ata janë Sokrati dhe Aristoteli, Dante, Virxhili, Zhyln Vern, Hegel, Niqe,Fojerbah, Mark Twein, Sartër, Tomas Man, Nënë Tereza dhe Ismail Kadare, të cilët përshkojnë qiellin nëpër shekuj dhe flasin me gjuhën e të gjithëve, që nga stepat siberiane gjer te rëra e pafund sahariane; nga Poli i Veriut, gjer te ai i Jugut, nga Lindja në Perëndim, pra, kanë një shtrirje kohore dhe hapësirore të pamatshme .

Mbi të gjitha, intelektualin, e shquan e vërteta dhe guximi . E vërteta, është strumbullari, gurthemeli, lindja dhe vdekja, pra amshimi dhe morti i tyre, për të cilën nuk bën pazare me asnjë çmim. Dhe jo pak shembuj të sakrificës na vijnë që nga Mesjeta e errët, kur Inkuizicioni në emër të së vërtetës kristiane, dërgonte në turrën e drurëve apo gijotinë, Xhordano Brunon, Kopernikun e Galileleun, sepse kishin guxuar të kontestonin “ të vërtetën “ kishtare. Por, gjersa Inkuizicioni dhe e “vërteta kishtare” na vijnë përmes historisë si një epokë e errët e mendimit njerëzor, Xhordano Bruno, Kopernik e Galileu na vijnë përmes epokash dhe përshkojnë qiellin e pafund të së vërtetës intelektuale, nëpër të gjitha kohët, duke u dhënë pavdekësinë. Ata janë sakrifica më sublime për të vërteten .

Por, ç’është racizmi dhe cilët janë racistët ? Racizmi është e kundërta e intelektualizmit dhe racistët janë të kundërtët e intelektualëve. Në themel të racizmit qëndron dallimi, dhe fillimisht dallimi në ngjyrë, si diçka e trashëguar. Sipas racistëve është ngjyra që i bën njerëzit të kategorizohen në grupe, në të bardhë, në të zinj, në të verdhë etj. Dhe, varësisht nga ngjyra (raca) që përfaqësojnë, ata do duhesh të jenë më dominatët, ata do duheshin të udhëheqin me botën. Por, brenda racës ata pastaj nxjerrin etninë, dhe po sipas tyre, etnia që përfaqësojnë është më e mira dhe do duhesh të jetë dominantja(!), duke e shpallur si racë dominuese (kujto gjermanët dhe “racën” e tyre ariane!), duke shpallur se ata janë më intelegjentët, më të mirët, më të denjët, pra të denjë për të udhëhequr me botën, ndërsa të tjerët, duhet të jenë në shërbim të tyre !

Nga shkenca e biologjisë dhe ajo e psikologjisë, tashmë është e ditur se në formimin e njeriut, personalitetit, dy janë faktorët vendimtarë, përgjegjës për këtë formim: komponenta e trashëgimit (gjenotipi) dhe ndikimi i ambientit të jashtëm (fenotipi). Madje, është vërtetuar se gjenotipi vetëm e përcakton ngjyrën e lëkurës, të syve, flokëve, por jo edhe atë se a do të jesh serb, shqiptar, kinez apo gjerman; i krishter, mysliman apo budist; se a do të bëhesh hajn, tradhtar, trafikant, bixhozxhi apo shkencëtar, artist, shkrimtar etj. Këto veti formohen nën ndikimin e ambientit në të cilin është rritur individi, mundësitë që i ofron ambienti (fenotipi), pra familja, shkolla, por edhe vetë angazhimi i tij i mëvonshëm.

Pra, njeriu lind vetëm njeri dhe përkatësia etnike, fetare, statusi social, profesional e të tjerë, nuk trashëgohen, por fitohen. Nisur nga kjo, çdonjëri nga ne, krejt rastësisht mund të jetë shqiptar, serb, francez, gjerman apo kinez; krejt rastësisht mund të jetë edhe mysliman, i krishter apo budist (varet se çfarë kanë qëlluar të jenë prindërit tanë); por statusi ynë social dhe profesional, varet nga rrethi dhe vetë ne, pra, nga ajo çfarë priremi dhe dëshirojmë të jemi.

Shkenca, akoma s e ka vërtetuar se njeriu trashëgon etninë, besimin, profesionin, por është vërtetuar se trashëgohet, specia. Pra, trashëgojmë të jemi njerëz, por jo edhe ajo çfarë dëshirojmë të jemi. Ne, lindim vetëm si njerëz, dhe kjo është filogjeneza, por bëhemi shqiptarë, serbë, gjermanë, apo kinezë, varësisht nga ajo çfarë kanë qëlluar të jenë prindërit tanë (etnogjeneza); se a do jemi myslimanë, të krishterë apo budistë, kjo po ashtu varet nga ajo se çfarë kanë qëlluar të jenë prindërit tanë, por që e kem në dorë ta ndryshojmë edhe vetë kur rritemi, poqese s’na pëlqen . Nuk lindim as kapitalistë e komunistë; por as PDK-istë, LDK-istë AAK-istë apo edhe VV-istë, se çfarë do të bëhemi varet nga ne; bëhemi tradhtarë, hajna, batakçi, të ndershëm apo të denjë; mjekë, inxhinierë, gazetarë, artistë apo shkencëtarë, varet nga ne dhe rrethi ku sillemi e jetojmë. Këto pra i fitojmë gjatë jetës dhe quhen veti të fituara (janë fenotipi ynë) dhe vetëm për këto duhet dhe mund të jemi përgjegjës .

Por, racistët, të verbër në “ arsyetimet “ e tyre, nuk shohin asgjë si të fituar, sipas tyre çdo gjë trashëgohet. Pra, sipas tyre trashëgohet edhe etnia, besimi, statusi social, madje edhe ai profesional! Ata na shajnë si gjak sllavësh apo bijë shkinash, në emër të patriotizmit të tyre etnik! Ata dhe tjerët si ta, një ditë do të na shajnë edhe nënat tona myslimane apo të krishtera (në emër të patriotizmit fetar), e ndonjë ditë edhe nënat PDK-iste, LDK- iste; AAK-iste apo VV-iste (në emër të një farë patriotizmi partiak)! Pra, atë janë sharësit kujdestarë të gjithçkaje që s’është e ngjashme me ta, por është e ndryshme, pra, për çdo gjë që nuk projektohet në orbitën grupore të tyre !

Sipas racistëve, nëna mund të jetë shkinë, shqiptare, gjermane, hebreje, islame, e krishterë, budiste; PDK-iste, LDK-iste, AAK-iste, VV-iste, duke harruar se nëna është vetëm nënë dhe flet vetëm një gjuhë: me dashurinë prej nëne, për të rritur dhe edukuar brezat e ardhshëm! Dhe asnjë nënë nuk i mëkon fëmijës së vetë të jetë urrejtës, tradhtar, hajn, maskara. Çdo nënë e do fëmijën e vetë të jetë i ndershëm, punëtor, i denjë. Megjithatë, jo të gjithë bëhen siç i do nëna, sepse, rrethi, shkolla, ambienti ku rritët, shkruajnë plot gjëra në personalitetin e ardhshëm dhe jo gjithmonë sipas dëshirës së nënave!

Intelektualët nuk njohin kufizimin, ndërsa racistët mbrohen nën strehën e tij, meqë s’kanë asgjë më shumë për të dhënë. Intelektualët gjithnjë kanë më shumë se sa u lejon partia, feja, etnia. Ata para së gjithash janë njerëz, të lindur nën shëmbëllimin e Zotit dhe të ndërgegjshëm se vetëm ata janë më afër Zotit, por jo të Zotit të myslimanëve, të të krishterëve, të budistëve, por Zotit, rregullatorit të harmonisë së përkryer të mikrokozmosit (atomit) dhe makrokozmosit (gjithësisë), ndërsa racistët, para së gjithash janë shqiptarë, serbë, gjermanë; myslimanë, të krishterë, budistë dhe krejt rastësisht njerëz! Të jesh racist apo intelektual, pra të jesh më larg apo më afër Zotit, nuk është diçka që trashëgohet, por diçka që bëhet nga familja, shkolla, rrethi dhe vetë angazhimi ynë.

Një intelektual s’mund të jetë kurrë racist, sepse për të “asgjë që është njerëzore, nuk është e huaj”, ashtu si një racist kurrë s mund të jetë intelektual, sepse sipas tij, asgjë që nuk është e tija (grupit), nuk është njerëzore! Ata janë skajet e një litari që tërhiqen dhe kurrë s bashkohen, me njëri-tjetrin. Mos dyshimi apo besimi i verbër, bunkerizimi në të “vërteten” dhe të “drejtën” e tyre absolute, kufizimet e verbra dhe gënjeshtrat e të dytëve (racistëve) dhe gjerësia, dyshimi, guximi dhe e vërteta, që përfaqësojnë të parët (intelektualët), janë pikat ndarëse, me pole diametralisht të kundërta.

Të dytët (racistët) gjithmonë dhe gjithkund kërkojnë pikat ndarëse, ndërkaq të parët (intelektualët), gjithmonë dhe gjithkund, kërkojnë pikat bashkuese. Të dytët (racistët) janë vetëm pasues të kopesë, ndërsa të parët (intelektualët) janë vetja e tyre. Të dytët “jetojnë” vetëm kohën e tyre, ndërsa të parët e jetojnë historinë dhe amshimin! Të dytët sjellin vetëm fatkeqësi dhe fatkob (Neroni, inkuiziconistët, Hitleri, Pinoqe, Milosheviqi), ndërsa të parët sjellin vetëm dritë, përparim dhe zhvillim (Leonardo da Vinçi, Xhordano Bruno, Koperniku, Galile, Njutni, Ajnshtajni, Bill Gejts, Stiv Xhobs).

Cilës kategori duam t’i përkasim varet nga vetë ne dhe është në dorën tonë, pra nuk e kemi të trashëguar, por Kosova ndjehet e rrezikuar nga racistët, sidomos ata të mbështjellë me petk intelektual, të çfarëdo etnie, besimi apo grupimi qofshin. Kambana bie për ata që kanë vesh dhe duan të dëgjojnë, ndërsa logjika e strucit vetëm sa e shumëfishon rrezikun, që po na rri si shpatë e Damokleut, mbi kokat tona!

 

Exit mobile version