Site icon Telegrafi

Rabotniçki mbetet lider, Shkëndija mbetet ndjekësi më i afërt

Kampionati i Maqedonisë së Veriut nga java në javë po bëhet mjaft interesant, me ekipet e kreut që shpesh ndërrojnë njëra tjetrën në pozitën e liderit. Tani dy javë me radhë këtë pozitë po e mban Rabotniçki, skuadër kjo që është e vetmja pa pësuar disfatë, njofton Telegrafi.

Pikërisht në javën e dhjetë të Ligës së Parë të Maqedonisë, dueli në mes Rabotniçkit dhe Gostivarit ishte më interesanti sa i përket “luftës” për pozitën e parë. Ekipi nga kryeqyteti, Rabotniçki arriti që me një gol, të shënuar nga Atdhe Mazari të merr tri pikët që e shkëputën nga ndjekësit Shkëndija dhe Gostivari, me këta të fundit që humbën edhe pozitën e tretë në renditje.

Tikveshi – Shkëndija

Shkëndija edhe pse si favorite u fut në duelin ndaj Tikveshit, nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 dhe kështu mbetet tani me tri pikë pas liderit Rabotniçki. Skuadra e Shkëndijës e udhëhequr nga trajneri Jeton Beqiri në dy ndeshjet e fundit nuk ka shënuar asnjë gol dhe ky fakt e ka shqetësuar edhe vet trajnerin tetovar.

Struga Trim Lum ka dështuar përsëri, kësaj radhe gaboi në terren nikoqir, pasi u mund thellë nga Sileksi i Kratovës, ekip kjo që është ngjitur në pozitën e tretë. Struga në pesë ndeshjet e fundit ka një bilanc me dy disfata, një fitore dhe dy barazime, që është shumë pak për një ekip që pretendon për të mbrojtur titullin kampion.

Edhe Shkupi nuk shkoi më shumë se një barazim në Manastir ndaj Pelisterit. Ekipi nga Çairi kishte më shumë posedimin e topit dhe krijoi disa raste për të shënuar, por duke mos mundur të gjej golin e fitores.

FC Besa Doberdoll

Besa e Dobërdollit po vazhdon të tregojë lojë të mirë dhe të grumbulloj pikë nga ndeshja në ndeshje. Kësaj radhe në fushë nikoqire, me rezultat 2-1 mundi Vardarin dhe është pak sa më e qetë në mesin e renditjes së tabelës. Ishte ky debutim i sukesseshëm i trajnerit Berat Imeri, i cili javë më parë u ul në stolin e ekipit që këtë sezon po debuton në Ligën e Parë.

Voska Sport edhe pse e fundit në renditje, ka marrë një pikë me shumë vlerë në duelin me AP Brera në Strumicë. Futbollistët nga Ohri një pjesë të madhe të ndeshjes e luajtën me një futbollistë më shumë, por nuk arritën të gjejnë golin, pikërisht me këtë epërsi me një futbollist më shumë, ata e gjetën veten në disavatazh, ndërsa më vonë edhe ekipi i tyre mbeti me një futbollist më pak, kur u ndëshkua me karton të kuq Amos Dadet. Dhe krejt në fund kur pritej fundi i ndeshjes, Voska barazoi për të marr pikë me shumë vlerë.

Standings provided by Sofascore

 

Java e 11-të, do të luhet të dielën e 27 tetorit ku takohen: Shkëndija – Struga, Shkupi – Tikveshi, Voska Sport – Pelisteri, Gostivari – AP Brera, Sileksi – Besa dhe Vardari – Rabotniçki. /Telegrafi/

Exit mobile version