Telegrafi

Ra prodhimi i veturave në Rusi – auto-industria ruse ka pësuar humbje me 97 për qind

Prodhimi i veturave në Rusi ka rënë pasi prodhuesit kryesorë të tyre u larguan nga vendi dhe qeveritë perëndimore vendosën sanksione ndaj vendit në hakmarrje për pushtimin e Ukrainës.

Rusia prodhoi 3,700 vetura në muajin maj, 97 për qind më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tha agjencia shtetërore e statistikave Rosstat.

Prodhimi u luhat nga 95 mijë vetura në muajin janar dhe 108 mijë në shkurt përpara se të binte në 40,800 në mars.

Rusia ka prodhuar gjithsej 268 mijë automjete në periudhën nga janari deri në maj të këtij viti, që është dy herë më shumë se në të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Prodhimi i kamionëve dhe autobusëve në maj ra me pothuajse 40 për qind dhe 6.5 për qind, përkatësisht, krahasuar me majin 2021.

Industria ruse e automobilave punëson 300 mijë njerëz dhe 3 milionë të tjerë punojnë në industri të ngjashme.

Vetëm dy nga 20 fabrikat e makinave mbetën në Rusi pasi prodhuesit kryesorë të veturave ndaluan prodhimin dhe shitjet për shkak të pushtimit të Ukrainës nga vendi.

Shitjet e markës më të njohur dhe më të përballueshme të vendit, Lada, ranë me pothuajse 84 për qind në maj, tha Shoqata e Bizneseve Evropiane. /Telegrafi/