Site icon Telegrafi

Bashkia e Shkupit shqyrton rikthimin e autobusëve 9 dhe 19

Edhe përkundër ankesave të qytetarëve, akoma nuk dihet nëse do të rikthehet ose jo qarkullimi i dy linjave të transportit publik me numër 9 dhe 19, linja këto të cilat konsiderohen si më të frekuentuarat në kryeqytet.  Nga Bashkia e Shkupit për televizionin Shenja thanë, se një çështje e tillë do të shqyrtohet në seancat e ardhshme të Këshillit të Bashkisë së Shkupit.

“Për ndryshimin eventual të orarit të caktuar vendos Këshilli i Bashkisë së Shkupit. Orari i tanishëm është miratuar gjithashtu në seancën e Qytetit të Shkupit, në të cilin nuk kishte vërejtje në lidhje me orarin e tanishëm. Kjo çështje do të shqyrtohet në një nga seancat e ardhshme të Këshillit të Bashkisë së Shkupit.”, kanë thënë nga NTP për Tv Shenja.

Këto dy linja deri në fund të vitit 2016 përpos autobusëve privat, mbuloheshin edhe me autobusët e Ndërmarrjes Publike “Transporti Publik Shkup”, dhe me vendim të Bashkisë së Shkupit autobusët publik u larguan nga qarkullimi.

Përndryshe, nga 1 janari i këtij viti në transportin publik që funksionon në Shkup, është futur në përdorim sistemi elektronik i pagesës, i cili gjatë dy viteve të kaluar vazhdimisht ka qenë i promovuar nga drejtuesit e ndërmarrjes publike dhe vetë drejtuesve të Bashkisë së Shkupit. Në ndërkohë, edhe pse kanë kaluar dy javë nga implementimi i këtij sistemi të ri pagesor, pjesa dërmuese e qytetarëve janë të hutuar për atë se si funksionojnë kartelat elektronike, përfshi edhe oraret e reja të autobusëve./Telegrafi/

Exit mobile version