Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka vizituar përsëri sot pjesën ku po ndërtohet një mur i lartë për të cilin thuhet se do ta ndajë fizikisht veriun dhe jugun e qytetit të Mitrovicës.
Muri është duke u ndërtuar në pjesën veriore të qytetit, saktësisht përball urës së lumit Ibër, raporton Telegrafi.
Bahtiri, pas vizitës që i bëri kësaj pjese tha: “Mitrovica s’ka për t’u ndarë, kjo është ilegale. Ky mur do të hiqet”.
Në pyetjen e bërë nga Telegrafi se si mendojnë ta heqin këtë mur, ai tha: “Do ta shohim”!
Në anën tjetër, kryetari i pjesës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka thënë se “aty nuk po punohet asgjë më shumë e as më pak sesa parashihet me projektin për rivitalizimin e urës për të cilin pala e Kosovës dhe ajo Serbisë janë dakorduar në Bruksel”.
Sipas tij, po punohet “zona për këmbësorë nëpër të cilën nuk do të mund të kalojnë automjetet”. /Telegrafi/