Metropoli sirian, në të cilin më parë kanë jetuar tre milionë banorë, në luftën pesëvjeçare ka pësuar ndryshime të mëdha. Luftimet mes rebelëve dhe ushtrisë, bombardimet, përplasjet mes klaneve, mes e brenda sekteve, e kanë transformuar rrënjësisht qytetin. Por, ndërsa zona e ruajtur nga rebelët është tërësisht e shkatërruar, ajo e kontrolluar nga forcat e Presidentit Assad vazhdon që të zhvillojë një jetesë normale.
Pesë vite luftë e kanë shkatërruar Sirinë. Dhe më shumë se kudo tjetër, pasojat e saj shihen në qytetin me më shumë banorë, Aleppo-n, ku vijat e luftimeve çajnë mes përmes lagjeve dhe e ndajnë më dysh.
Në dy gjysmat e metropolit ka ndryshime drastike, ku duket qartë se njëra gjysmë është ku e ku më mirë sesa tjetra.
Në një park, në zonën e kontrolluar nga qeveria, familjet bëjnë piknik, ndërsa fëmijët presin në radhë për të blerë tullumbace dhe kokoshka.
Pak kilometra më tutje, në një kampus universiteti të shtrirë në një hapësirë të madhe, mijëra studentë janë në leksione. Në qendër, kinematë e qytetit japin filmat më të fundit të prodhuar nga Hollivudi. Kurse në mbrëmje, restorantet janë plot e përplot.
Lufta sjell vdekje dhe shkatërrim, por jeta në këtë zonë vazhdon me një shkallë normaliteti që të habit.
Kjo situatë është shumë larg asaj që ka parë bota përgjatë luftës civile në Siri. Rrugët e mbushura me gërmadha, karabinatë e ndërtesave, trupa të pajetë që tërhiqen nga pirgjet e rrënojave pas bombardimeve. Megjithatë, kjo pamje është në zonën e kontrolluar nga rebelët.
Atje ka një mishmash grupesh të armatosura që janë pothuajse të rrethuara dhe u bombarduan brutalisht përpara një armëpushimi të vendosur nga Rusia dhe SHBA-ja. Por situata është më e qetë.
M’u afër zonës së luftimit ndodhet qyteti i vjetër, që tashmë është shkatërruar. Qyteza që daton që prej shekullit XIII, tani është djegur, kurse pazaret me tavanet e tyre të stolisura janë kthyer në baza të ushtrisë siriane.
Forcat proqeveritare po avancojnë përreth qytetit, që më parë ka pasur një popullsi prej tre milionë banorësh. Të ndihmuar nga avionët luftarakë rusë, ushtarët e Presidentit Bashar al Assad tani kontrollojnë rrugën kryesore, të vetmen nga ku futen dhe dalin mjetet.
Që të mund të futesh aty, duhet të marrësh leje nga qeveria dhe aksesi është i kufizuar, për shkak të situatës.
Udhëtimi nga Damasku nga katër orë që zgjaste, tani shkon dyfish. Kjo, për shkak se makinat duhet që të shmangin zonat e mbajtura nga rebelët.
Nga viti i kaluar duket se kushtet janë përmirësuar dhe rezidentët thonë se tani ata ndihen më rehat. Pas më shumë se tre muaj pa ujë, tubacionet u rregulluan në javët e fundit. Ende nuk ka energji elektrike dhe rryma sigurohet vetëm nëpërmjet gjeneratorëve.
Nga parku dëgjohet zhurma e mbytur e shpërthimeve, ndërkohë që më tutje, burra të veshur me uniforma ushtarake tregojnë për vuajtjet dhe dëmtimet që ky qytet ka kaluar.
Lufta në Siri ka arsye sektare, duke qenë se rebelët sunni luftojnë luftëtarët e Presidentit Assad të sektit alavi, të mbështetur nga forcat shiite nga Libani, Iraku dhe Irani. Por përçarje ka edhe midis klaneve dhe shtresave.
Në Aleppo, me shumicë sunite dhe motori industrial i Sirisë, shumë nga lagjet e pasura në perëndim të qytetit i qëndruan besnike regjimit, ndërkohë që rebelet morën kontrollin e lagjeve të varfra.
Në kafenenë “Foresta” në lagjen e pasur të Azizia-s, kënga hit e David Guetta-s, “No Money No Love”, dëgjohet kudo, ndërsa 25-vjeçarja Hadeel Kasabji po shijon pasditen bashkë me familjen e saj. Ajo ankohet se mungesa e elektricitetit është një problem i madh. “Tani ne duhet që të mendojmë edhe për këto gjëra. Nevojat për të pasur një jetë normale”, tha ajo për “Washington Post”.
Më tutje te rruga, në kinemanë al-Zahraa, 50 njerëz sapo kanë dalë pasi panë filmin “London Has Fallen”, i zhanrit aksion, ku aktrojnë Gerard Butler dhe Morgan Freeman. Subjekti i tij flet për një sulm terrorist që e kthen në rrënoja kryeqytetin anglez.
“Është shumë e vështirë që të jetosh këtu”, tha 31-vjeçari Rafi Balaban, pasi e pa filmin. “Nuk mund të bësh një jetë normale.” Kurse gruaja e tij, Noror, u shpreh se ajo ishte përpjekur që ta bindte bashkëshortin që të ikte, ashtu si edhe shumë të tjerë që kanë emigruar për të nisur një jetë të re në Europë apo diku tjetër në krahinë.
Kryengritja siriane erdhi me vonesë në Aleppo dhe në vitin e parë të rebelimit ishte imune nga protestat dhe dhuna që shpërtheu në vendet e tjera. Kur protestat nisën të ndodhnin në universitet, atëherë pati arrestime dhe masa të ashpra.
Zv/presidenti i universitetit, Kamal Khoudary, tha se protestat erdhën nga grupet e studentëve që mbështesnin grupet terroriste. Jeta në kampus vazhdon, e aty nuk kanë lëvizur portretet e Presidentit Assad. “Nga 160 mijë studentë, tani te ne studiojnë 120 mijë. Disa prej të rinjve vijnë nga jashtë për të mësuar këtu, si p.sh. shtete si Sudani, Çadi, Libani dhe Iraku”, tha ai.
Universiteti ka qenë objekt atentatesh. Aty kanë shpërthyer makina bombë dhe një muaj më parë një raketë goditi kampusin ku jetojnë rreth 35 mijë sirianë të zhvendosur. Për pasojë humbi jetën një grua dhe foshnja e saj.
Në këtë zonë janë ndërtuar shkolla, ku bëhet mësim me dy turne për fëmijët e zhvendosur, dhe klinika.
“Shumicën e ilaçeve ne mund ta marrim”, tha Mehdi Aktaa, që punon në një klinikë. Aleppo është i njohur për tregtinë farmaceutike dhe shumica e ilaçeve bëhet brenda qytetit. Shumica e fabrikave janë të vendosura në anën që kontrollohet nga rebelët.
Njësoj si me industritë e tjera thelbësore, marrëveshje të fshehta ndërmjet qeverisë dhe rebelëve bëjnë që fabrikat të vazhdojnë të punojnë.
“Grupet terroriste marrin një taksë apo një shumë parash për t’i transferuar ilaçet këtu”, shpjegoi Aktaa. Kjo është një pjesë e pashmangshmeve e uljeve dhe ngritjeve ndërmjet zonave të rebelëve apo Shtetit Islamik dhe të qeverisë.
Stacioni i autobusëve të qytetit është një udhëkryq në këtë rrugë. Autobusët largohen drejt lagjes së mbajtur nga IS-i të al-Bab apo asaj rebele, al-Shaar. Shumë pasagjerë kanë frikë të flasin.
Disa prej tyre janë punëtorë qeveritarë që vazhdojë të paguhen, edhe pse jetojnë në zonat opozitare. Ata udhëtojnë çdo muaj që të marrin rrogat e tyre përpara se të kthehen.
Sami Shiha, një gjeneral i dalë në pension nga Aleppo, mendon se paqja në qytet do të vijë vetëm nëpërmjet negociatave dhe jo luftës.
“Në javët e kaluara ne u kemi dërguar mesazhe të forta këtyre grupeve rebele që të lënë armët dhe të pajtohemi. Gjithashtu i kam ftuar këto grupe që tani të luftojmë ndaj terroristëve të Shtetit Islamik.”
Lideri i një klani nga ky qytet, sheik Sharif Martini, u shpreh se pavarësisht se grupimet terroriste Jabhat al-Nusra dhe Shteti Islamik duhen luftuar, grupet e tjera kanë shprehur gatishmërinë për të biseduar. “E gjitha kjo mund të zgjidhet nëpërmjet parave”, tha ai.
Bulevardet e gjera në qendër të lagjes pro qeveritare tregojnë pak shenja lufte.
Dëmet më të mëdha janë shkaktuar nga bombat artizanale të krijuara nga bombolat e gazit.
Armëpushimi, gjithsesi, është prishur në zona të caktuara, ku ka pasur përleshje mes rebelëve dhe kurdëve, e ku ushtria ka kryer ndonjë bombardim. Studentja 19-vjeçare Susan al-Allawi, shprehet se gjithmonë mendon se çfarë po ndodh në anën tjetër të qytetit. Familja e saj është nga zona e kontrolluar prej rebelëve, al-Shaar, por ata arritën të iknin që aty, përpara katër vitesh. Fqinjët e saj i kanë thënë se shtëpia është ende në këmbë, por prapë situata ngelet dëshpëruese. Vajza ngushëllohet me faktin se në këtë zonë ndihet e sigurt. “Këtu është një mijë herë më mirë. As që mund të bëhet krahasimi”. /gazetashqip/