Një qytet Italian është duke dhënë pronë falas, nëse veç jeni të gatshëm ta rregulloni atë. Por, kësaj radhe, ka edhe një bonus me para nëse lindni fëmijë pasi të shpërnguleni.
Cammarata në Sicili është fshat historik, ku ndërtesat kanë filluar të dëmtohen me shpërnguljen e banorëve në zona më të mëdha urbane, transmeton Telegrafi.
“Nuk mund ta shoh këtë qendër të vjetër, të mahnitshme e historike duke u shndërruar në rrënoja. Më lëndon. Pronarët nuk janë të vetëdijshëm për dëmin që e shkaktojnë kur i lënë shtëpitë”, ka deklaruar kryetari Vincenzo Giambrone.
Giambrone i ka kaluar vitet e fundit duke i bindur pronarët e ndërtesave të rrënuara që t’ia dhurojnë qeverisë lokale.
Tani, ai është duke shpresuar t’i mbush ato me familje të reja dhe biznese të cilat përkushtohen për t’i rikthyer dhe mirëmbajtur ndërtesat historike.
Përderisa qyteti do t’i analizojë të gjitha aplikacionet, prioritet do të kenë familjet me fëmijë të vogël.
Dhe, nëse ato familje kanë fëmijë pasi të jenë shpërngulur në Cammarata, atyre do t’iu dhurohen 1,000 euro.
Qyteti, i cili gjendet rreth 50 kilometra në juglindje të Palermos, për momentin ka një popullsi prej 6,000 njerëzve.
Në mënyrë që të shpërnguleni aty, fillimisht duhet ta paguani një depozitë prej 5,000 eurove dhe ta keni një plan të qartë për renovim brenda tri viteve.
Ndërtesat mund të shndërrohen në shtëpi apo biznese si restorante, hotele, etj.
Depozita do t’ju rikthehet në momentin që kryhet rinovimi.
Për më shumë informacione, ju mund ta vizitoni ueb sajtin e qytetit duke klikuar KËTU. /Telegrafi/