Site icon Telegrafi

Qyteti i dritës, qyteti i territ

Nga: Gabriel Garcia Marquez (shkrim i 29 dhjetorit 1982)
Përktheu: Rexhep Maloku

Në Paris erdha për herë të parë në një natë të acartë dhjetori të 1955-s. Erdha nga Roma me trenin që u ndal në një stacion të mbushur deng me drita Krishtlindjesh, dhe gjëja e parë që më rrokën sytë ishin çiftet që putheshin kudo. Në tren, në metro, në kafene, në ashensor, brezi i parë i pasluftës i ishte dhënë me mish e me shpirt konsumimit publik të dashurisë, që ende ishte kënaqësia e vetme e lirë pas zezonës. Putheshin midis rruge, pa u shqetësuar për kalimtarët përreth të cilët skajoheshin pa ua lëshuar sytë ose kushtuar vëmendje, qysh bëjmë edhe me qentë endacakë që bëjnë qejf njëri me tjetrin, duke lëshuar jashtëqitjen midis sheshit të qytetit. Puthje në hapësira publike nuk të zinte syri shpesh në Romë – që ishte qyteti i parë evropian ku kisha jetuar – e as në Bogotën tepër puritane të atyre ditëve, ku ishte e vështirë të puthje edhe në dhomat e gjumit.

Këto po m’i shihnin sytë në ditët e zeza të luftës në Algjeri. Në sfondin e muzikës nostalgjike në qoshe të qytetit, matanë rrugës me erën e gështenjave të pjekura në mangaj, represioni ishte spektër i pashuar.

Krejt papritmas, policia do ta bllokonte daljen e një kafeneje ose njërin prej bareve veriafrikane në bulevardin Saint-Michel dhe do të tërhiqte zvarrë këdo që nuk kishte çehre të krishterë. Njëri prej tyre, pashmangshëm, isha unë. Nuk bënte punë kurrfarë shpjegimi: jo vetëm çehret tona, por edhe theksi me të cilin e flisnim frëngjishten, ishin arsye të mjaftueshme pa bërë kurrfarë shkeljesh.

Dhe i poshtëruar u ndjeva kur për herë të parë më degdisën prapa hekurave me algjerianë në stacionin e policisë në Saint-Germain-des-Prés. Ishte paragjykim latino-amerikan: atëherë burgu ishte diçka që ta nxirrte zërin e zi, sepse si fëmijë nuk kishim bërë dallim të qartë ndërmjet krimeve të rëndomta dhe krimeve ekonomike, e pleqtë tanë konservativë ishin kujdesur që të mos e shquanin këtë dallim dhe na mbajtën të zhytur edhe neve në të. Situata ime ishte më e rrezikshme sepse, megjithëse policia më tërhoqi zvarrë veç pse ia mori mendja se isha algjerian kur më gjuajti në qeli, as algjerianët nuk më besuan kur e morën vesh se, pavarësisht prej çehres time prej tregtari që troket derë më derë, nuk e merrja vesh asnjë fjalë të vetme që e nxirrnin nga goja.

Sidoqoftë, meqë ata dhe unë vazhdonim të ishim vizitorë kryeneçë në burg, më në fund ia dolëm të arrinim njëfarë mirëkuptimi. Një natë, njëri prej tyre tha më mirë do të ishte të shpallesha fajtor se të lirohesha, sepse kështu do të punoja për Frontin Nacionalçlirimtar Algjerian. Ishte Ahmed Tebbali, një mjek i cili ishte një prej miqve më të mirë të mi të atyre ditëve në Paris, por vdiq prej një tjetër lufte pas pavarësisë së atdheut të tij. Njëzet e pesë vjet më vonë, kur më ftuan të festoja atë përvjetor pavarësie në Algjeri, i thashë një gazetari diçka të vështirë për t’u besuar: Revolucioni Algjerian është i vetmi për të cilin faktikisht hëngra burg.

Për më tepër, Parisi atëherë nuk ishte vetëm qytet i Luftës Algjeriane. Ishte për një kohë të gjatë edhe vendi për ekzilin më të madh të latino-amerikanëve. Në fakt, Juan Domingo Perón – i cili nuk ishte i njëjtë si në vitet e pastajme – ishte në pushtet në Argjentinë, gjenerali Ordia në Peru, gjenerali Roja Pinilla në Kolumbi, gjenerali Pérez Jiménez në Venezuelë, gjenerali Anastasio Somoza në Nikaragua, gjenerali Rafael Leónidas Trujillo në Santo Domingo, gjenerali Fulgencio Batista në Kubë. Ne ishim aq shumë të arratisur prej aq shumë patriarkëve simultanë saqë poeti Nicolás Guillén do të përkulej prej ballkonit të tij të hotelit “Grand Saint-Michel” para Rue Cujas, çdo mëngjes dhe do të kumtonte britshëm kryelajmin nga Amerika Latine në spanjisht. Një ditë, briti fort: “Ra burri”. Natyrisht kishte rënë vetëm njëri prej tyre, por të gjithë ne u zgjuam me iluzionin se gjenerali i rënë ishte i vendit tonë.

Kur mbërrita në Paris nuk isha kurrgjë më shumë se një qytetar i pagdhendur Karaibesh. I jam shumë mirënjohës atij qyteti, me të cilin kam mëri të vjetra, por po aq edhe dashuri të vjetra, pse më ka krijuar një perspektivë të re dhe të qartë për Amerikën Latine. Vizioni i tërësishëm, që nuk e kishim në asnjërin prej shteteve tona, u kristalizua fort në një mjedis tjetër, dhe e morëm vesh se, pavarësisht se vinim nga shtete të ndryshme, krejt ishim anëtarë të ekuipazhit të së njëjtës anije. Ishte e mundshme të udhëtoje anembanë kontinentit dhe të takoje shkrimtarët, artistët dhe politikanët të paturp dhe në ngritje, saqë u mjaftonte të vërtiteshit përreth kafeneve të stërmbushura të Saint-Germain-des-Prés. Disa nuk erdhën kurrë, siç më ndodhi mua me Julio Cortázarin – të cilin tashmë e adhuroja për tregimet e mrekullueshme të Bestiarios – dhe për të cilin kisha pritur pothuajse një vit në kafenenë e Marinës së Vjetër, ku dikush më tha se ai shkonte shpesh. Më në fund e takova pas pesëmbëdhjetë vjetësh, gjithashtu në Paris, dhe ai ende ishte sikur e kisha imagjinuar kaherë: njeriu më i gjatë në botë, dhe burri i botës kishte ndarë mendjen të mos plakej kurrë. Kopja bindëse e atij latino-amerikani të paharrueshëm, i cili në njërin prej tregimeve të tij të shkurta, i pëlqente të ecte gjatë agimeve të mjegullta deri te vendi i ekzekutimeve në gijotinë.

Ne frymonin me këngët e Brassensit në sfond. E këndshmja Tochia Quintana, një grua e guximshme baske, të cilën ne latino-amerikanët e atyshëm e kishin pranuar si të ishte prej tanëve në ekzil, me kënaqësi të madhe na gatuante një paella të shijshme për dhjetë persona. Paul Coulaud, një tjetër prej të konvertuarve tanë, kishte gjetur emrin për këtë soj jete: la misère dorée, mjerim i artë. Nuk e kisha fort të qartë gjendjen time deri një natë kur e pashë veten afër Jardin de Luxem­bourgut, pa futur në gojë asnjë gështenjë të vetme gjithë ditën dhe pa një strehë për ta kaluar natën. Po sillesha kuturu bulevardeve për orë të tëra, me shpresë se një patrullë policie në kërkim të arabëve rrugëve, do të më merrte që të bëja një sy gjumë në një qeli të ngrohtë, por sado që shikoja gjithandej, nuk më zuri syri asnjë sosh. Në ag, kur ndërtesat përgjatë Senës nisën të çonin krye nëpër mjegullën e dendur, mora udhë drejt Îsle de la Cité me hapa të mëdhenj të sigurt dhe me çehren e një punëtori të çiltër, të porsazgjuar për të shkuar në punë në fabrikë. Dhe derisa po këpusja urën e Saint-Michelit, ndjeva se nuk isha fikall vetëm në mjegull, sepse po dëgjoja hapat e dikujt që po më afrohej prej anës së kundërt. E pashë siluetën e tij në mjegull në të njëjtin trotuar dhe me të njëjtin ritëm me timin, dhe pashë së afërmi xhaketën e tij kuqezi, dhe derisa po kalonin krah për krah përballë njëri-tjetrit midis ure, ia këqyra flokët të kërleshura, mustaqet turke, urinë e madhe dhe netët pa gjumë dhe vajin nën buzë. Zemra m’u ngri në vend sepse tek ai burrë shihja veten rrugës së kthimit.

Ky është kujtimi më i trishtë i atyre ditëve dhe e kam kujtuar më shumë se kurrë tani që jam kthyer në Paris rrugës së kthimit nga Stokholmi. Qyteti nuk ka ndryshuar prej atëherë. Më 1968, kur isha joshur prej kureshtjes time për të mësuar çfarë ndodhi pas shpërthimit mahnitës të majit, pashë se të dashuruarit nuk po putheshin në rrugë dhe se parisienët kishin zëvendësuar kalldrëmin në rrugë, dhe se kishin shlyer grafitet më të bukura të shkruar në mure: “Nga imagjinata në pushtet”, “Poshtë trotuarit, plazhi”, “Bëni dashuri mbi të tjerët”. Dje, pasi eca rreth e përqark vendeve që dikur ishin të miat, vetëm një gjë më dukej fisnike; disa nëpunës komune të veshur në të gjelbër, të cilët udhëtonin udhëve me motoçikleta dhe shkopinj si duar mekanike, si eksplorues hapësire, për të mbledhur nga rruga mutin që një milion qen të skllavëruar e hedhin çdo 24 orë në qytetin më të bukur në sipërfaqe të dheut. /Revista “Akademia”/Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version