Një gabim trashanik në një publikim të Muzeut Britanik ka sjellë reagimin e anëtarit të këshillit shkencor të UNESCO-s, studiuesit shqiptar Auron Tare.
Muzeu Britanik kishte shfaqur një koleksion të vjetër monedhash nga qyteti antik i Butrintit, “Buthrotum” duke shkruar se Butrinti është në Greqi, “Buthrotum Epirus, Greece”.
Ndërkohë, Tare bëri me dije përmes një njoftimi në Facebook se pas letrës që ai i dërgoi muzeut, gabimi u korrigjua në “Buthrotum Epirus Albania”.
“Jam i lumtur të njoftoj vendimin e sotëm të Muzeut Britanik për të ndryshuar emrin e vendndodhjes së Butrintit nga Buthrotum Epirus Greece në Buthrotum Epirus Albania. Muzeu britanik reagoi shpejt pas një letre që i dërgova Drejtorit të Përgjithshëm mbi saktësinë e terminologjisë së përdorur për të përshkruar Butrintin si qytet grek”, shkruan Tare. /Telegrafi/