Një qytet në Massachusettss që miratoi një urdhëresë të pazakontë që ndalon shitjen e duhanit për këdo që ka lindur në shekullin e 21-të, po shihet si një model i mundshëm për qytetet dhe qytezat e tjera që shpresojnë të shtrëngojnë rregullat me cigaret dhe produktet e duhanit.
Akti nënligjor – i pari i këtij lloji në vend – u miratua nga Brookline në 2020, kurse javën e kaluar u mbështet nga gjykata më e lartë e shtetit, duke hapur derën për komunitetet e tjera që të miratojnë ndalime të ngjashme që, pas dekadash, përfundimisht do t’ua ndalojnë të gjithë brezave të ardhshëm blerjen e duhanit.
Rregulli, i cili ndalon shitjen e duhanit për këdo që ka lindur më ose pas 1 janarit 2000, hyri në fuqi në vitin 2021 në qytetin me rreth 60 mijë banorë pranë Bostonit, transmeton Telegrafi.
Sipas një ligji të Massachusetts të nënshkruar nga ish-guvernatori republikan Charlie Baker në vitin 2018, çdokush nën moshën 21 vjeç tashmë është i ndaluar të blejë çdo produkt duhani – duke përfshirë cigaret, puro dhe cigare elektronike – në shtet.
Mbështetësit e masës në Brookline theksojnë se ligji i shtetit pranon autoritetin e komuniteteve lokale për të miratuar masat e tyre për të kufizuar shitjen e produkteve të dëmshme.
Kritikët e ligjit Brookline, duke përfshirë pronarët e dyqaneve që mbështeten në shitjet e produkteve të duhanit për një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre, nuk u pajtuan megjithatë, duke argumentuar se ligji i Brookline bie ndesh me ligjin e shtetit të vitit 2018, i cili lejon ata mbi moshën 21 vjeç të blejnë produktet e duhanit – dhe do të krijonin dy grupe të rriturish, një që mund të blinin cigare dhe tjetri që nuk mund të blinin.
Gjykata e Lartë e Massachusetts mbajti anën e Brookline, duke vënë në dukje se qytetet dhe qytezat “kanë një histori të gjatë të rregullimit të produkteve të duhanit për të frenuar efektet e njohura, negative shëndetësore të përdorimit të duhanit”. /Telegrafi/