Një familje nga Prizreni nuk po arrin që t’i marrë 1500 euro në emër të subvencioneve qeveritare për anëtaren e familjes së tyre që vdiq nga COVID-19 në Maqedoni të Veriut.
Përfaqësuesi ligjor i kësaj familje, Gent Gjini thotë për KosovaPress, se skandali i qeverisë me subvencionet e COVID-19, është diskriminues për qytetarët e Kosovës.
”Padrejtësia qëndron se duke ditur që Qeveria e Kosovës, ka ndarë subvencionim në shumën prej 1500 euro, për anëtarët e familjes të cilët kanë humbur jetën nga virusi Covid-19, skandali qëndron në atë që sipas udhëzimit administrativ për kushtet dhe kriteret të nxjerura nga Ministria e Financave, kjo vlen vetëm për ata që kanë humbur jetën nga virusi Covid-19, brenda shtetit e Kosovës, por jo edhe në shtetin e Maqedonisë Veriore. E sipas kritereve për ta përfituar këtë subvencionim, për anëtarët e familjes vlen kriteri i fletlëshimit të spitalit nga shteti i Kosovës. E që në rastin konkret për anëtarët e familjes së viktimës, të cilët tani si avokati i përfaqësoj, ky përfitim për subvencionim nuk vlen, me arsyetim se certifikata e vdekjes është e lëshuar nga shteti i Maqedonisë”, thotë ai.
Sipas tij, absurdi në këtë rast qëndron se fletlëshimi për diagnostikimin me virus Covid-19, është bërë nga Spitali i Prizrenit, e aq më tepër duke ditur që e njëjta ka qenë shtetase e Kosovës, ka pasur letërnjoftimin e shtetit të Kosovës, dhe aq më tepër infektimin me sëmundjen Covid-19, e ka marrë brenda shtetit të Kosovës.
Andaj avokati Gjini thotë se mu për këtë çështje do angazhohen për t’i përdorur mekanizmat ligjore si padinë civile, ashtu edhe kallëzimin penal për shkelje të ligjit penal për diskriminim, për mostrajtim të barabartë të qytetarëve të Kosovës. Ai thotë se do të njoftohet edhe institucioni i Avokatit të Popullit, për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.