Një qytetar amerikan, duke biseduar në rrjetet sociale me një qytetar nga Koreja e Veriut, e kishte pyetur atë se si po jetonte në vendin e tij të përfolur shumë për dashurinë e pafund në mes të popullit dhe udhëheqësit të pagabueshëm. Ky, koreani pra, menjëherë, pa u menduar fare, i ishte përgjigjur se nuk mund të ankohet. Qytetari amerikan, i mësuar të shprehet lirshëm, e kishte fjetur mendjen se miku i tij ishte rehat.
Ai ishte një qytetar i zakonshëm i cili po bisedonte me mikun e tij virtual për hallet e jetë dhe nuk po bënte politikë. Nuk ishte kurrfarë agjenti i FBI-së, sikur ky i yni që na erdhi këto ditë në ndihmë të kryeministrit Edi Rama – thënë me eufemizëm, për të hetuar telashet e qytetarëve me shtetin. Edi, qysh e dimë, diqysh ka mbet në mes. Në mes shtetit e partisë, në mes të popullit dhe mafisë. I ka hipur kalit të çmendur dhe shumëkush po thotë se edhe kalorësi nuk është aq mirë nga trutë. Sidomos portalet të cilat ai i do dhe i shanë aq shumë.
Në fakt, qytetari ynë andej e këndej bjeshkëve të nëmura, toponim ky i shkruar me shkronja të vogla, ka shumë halle, po ashtu me (pu)shtetin – por, të një natyre tjetër. Ky i yni, këndej dhe andej, i ka punët më mirë, sepse ky mund të ankohet. Jo se ka ku të ankohet, apo jo se ka ndonjë dobi konkrete nga kjo ankesë. Por, sido që të jetë, mund të flasë dhe bërtasë sa t’ia dojë qejfi. Për qytetarin tonë të sharatjanë sport nacional dhe nuk i ndalë asnjëherë, qoftë në rrjet e qoftë në kafenetë e lagjes ku, duke pirë raki të lirë, apo çaj të rëndë rusi, shfryhet e shfryhet për të arritur sadopak në gjendje për t’u përballur me ditën e re. Shajë dhe merr vëmendjen publike. Sa më rrugaç, aq më “in”!
Ka edhe një dallim të madh mes nesh dhe qytetarit “fatlum” nga Koreja e Veriut, sepse te ne mund të shash sa të duash, edhe udhëheqësin e madh i cili për dallim prej “Kimit”, te ne, këndej dhe andej, nuk është i pagabueshëm, madje me automatizëm është i gabueshëm sepse nuk zgjidhet dot në krye të shtetit nëse nuk është shumë i gabueshëm. Edhe te ne është një model, pak a shumë si në Amerikë, por te ne ai është krejtësisht joformal. Vota popullore, pra, nuk të zgjedh me automatizëm.
Për të sharë, po, e shanë cilindo dhe nuk të mungon as fija flokut. Të shajnë edhe ata ty edhe ti ata prapë. Kështu, populli e humb fijen dhe idenë e fajit, edhe marren. Mund të bësh me lemzë secilin politikan. Edhe ty mund të të kapë lemza.
Pra, kemi qëlluar me fat që jetojmë në Evropë, të cilën dikur të parët tanë e quanin prej dashnie “kurva plakë”, mirëpo tash kur Evropa është një (apo dy), ato arsye vështirë se mund të jenë të pranueshme politikisht. Evropa na ndau, Evropa si duket edhe do të na bashkojë. Edhe Amerika. Tash e quajmë “nënë”, edhe pse nuk jetojmë ende në Evropë, sepse vet fjala “nënë” tash nuk ka më vetëm kuptim gjeografik, apo biologjik, por ka kuptim politik. Mes nesh ka vetëm kufij politik.
Specifika jonë është se kufijtë e Evropës janë të pakalueshëm, për ne qytetarët, pa kaluar kah trafiqet, dhe këtu dalim te arsyet kryesore që i përmendëm më herët përse nuk i shanë dot disa. Këtu vjen edhe ajo pjesa kur gjithçka komplikohet. Shteti, trafiqet, mafia perceptohen të janë ulur këmbëkryq, te sofra e parë. Populli nuk ha më në sofër, por ushqehet më këmbë. Këtu vijmë te pjesa kur pasi trafiqet e krimi nuk njeh kufij, edhe antikrimi po merr përmasa të tilla. Jemi internacionalizuar si çështje. Po merret bota me ne. Na pyet miku a kemi ankesa, por ne shyqyr nuk kemi. Përse ta lodhim mikun me ankesa! Dikush po spekulon se miku i madh, i cili erdhi këto ditë, ka kërkuar sikurse edhe në Serbi të ndalohet çaji i rusit të cilin disa, sipas qarqeve inteligjente, edhe pse ka dalë ka kohë prej mode, po e pinë tinëz. Në Serbi, miku i madh, thënë në mënyrë metaforike, i përmendi karriget dhe la të kuptohet se për këndvështrimin amerikan një prapanicë është vetëm për një karrige. Te ne puna është më e komplikuar, sepse çajin e rusit e solli tjetërkush dhe veç Zoti e di se si i mbeti ky emër.
Pra, nuk mund të ankohemi. Jo se nuk mundemi, por nuk duam. Nëse ankohesh, të bëjnë dëshmitarë të mbrojtur. Nëse je dëshmitar i mbrojtur, në fakt del se je i pambrojtur. Prandaj, nuk ankohemi mik! Na çlironi sërish, pa ndihmën tonë. Ne edhe ashtu jemi mësuar me ta dhe nuk po na pengojnë. Pastaj, mik i dashur, shteti nuk ka faj. Këta e kanë korruptuar qytetarin. Jo vetëm qytetarin, por edhe qytetarinë! Qytetari pastaj dërgon përfaqësuesit e vet në (pu)shtet. Kështu rrethi mbyllet.
Pastaj, ne këndej bjeshkëve të nëmura, qysh e dini, jetojmë pak më ndryshe. Jemi në geto. Krejt kjo me fajin e stërgjyshërve të cilët për hatër të padishahut, dikur e shanin Evropën dhe ajo na e ka marrë inat.
E di se lexuesi i vëmendshëm, i preokupuar me drejtshkrimin do të më “shajë” sepse toponimin bjeshkët e nëmura e kam shkruar tërë kohën me shkronjë të vogël, por për mua ato me të vërtetë janë vetëm bjeshkë të nëmura dhe pikë. Nuk janë toponim. Janë gjeopolitikë.