Telegrafi

Qytetari që ra viktimë e fajdeve rrëfen për “hilet” e fajdexhinjve: Nga 10 mijë borxhi shkoi në 50 mijë euro

Muhamet Berisha ka rrëfyer se si prej disa borxheve që pati në kohë të pandemisë përfundoi si viktimë e fajdeve.

Tv Dukagjini, Berisha ka thënë se e gjitha filloi me shokun e tij që e kishte njohur më herët, i cili fillimisht i ofroi një shumë parash e pastaj një veturë.

“Ishte pandemi në atë kohë, pata disa borxhe, fillova të marr fajde. E kam njohur më herët, më ofroi disa para, pastaj ma ofroi një kerr, shkoi t’u i rrit kamatat çdo muaj. Ishin 10 mijë, e pastaj e tejkaloi shumën prej 50 mijë euro”, ka deklaruar Berisha.

Ai e ka quajtur këtë jetë katastrofale pasi siç thotë ai huadhënësi asnjëherë nuk e lë fajtor veten pasi thotë se paratë nuk janë të tij por të dikujt tjetër dhe nëse nuk kthehen në kohë rritet kamata.

“E kam pasë me kthy me datën 15, nëse jam vonuar, kamata është rrit, për 500, 1000, ka ndodhë edhe 2000. Unë e fillova me shokun tim, Dritonin, është një jetë katastrofale. Kam dërguar paratë, nuk dilte nuk e hapte telefonin, më thojke që nuk më ke thirrë, ata mbesin shokë me ty pasi të thonë nuk janë paret e mia, nuk e lënë veten fajtor. Nesërmen të thonë s’ke qenë me mi sjellë paret dhe ta rrisin kamatën”, ka vijuar Berisha rrëfimin e tij.