Nuk janë të pakta rastet kur qytetarëve u humbasin gjërat e tyre të vlefshme, por rrallë herë ndodhë që ato të gjenden nga persona vullnet mirë, të cilët i kthejnë prapa ato gjëra te pronarët e tyre.
Qytetari nga Drenasi, Gent Hoxha në një rrugë në Fushë Kosovë, sot ka gjetur një aparat fotografik profesional dhe më pas ka publikuar foton e aparatit në profilin e tij zyrtar në Facebook, duke kërkuar që të gjendet pronari dhe ta kthejë atë prapë, transmeton Telegrafi.
Siç ka shkruar ai, aparatin e ka gjetur rreth orës 13:30, dhe se aparati është në gjendje të rregullt.
“Sot rreth orës 13:30 afër kafiterisë ‘Trendi’ në Fushë Kosovë, kam hasur në rrugë, një aparat profesional të humbur tip Canon. Aparati sipas të gjitha gjasave është në gjendje të rregullt, por është pa bateri. Për shkak të privatësisë, nuk po e mbush me i shiku fotot. Megjithatë, ju lus për shpërndarje të këtij statusi, ndoshta së bashku e gjejmë pronarin dhe e rikthejmë mjetin e tij”, thuhet në mbishkrimin e tij sipër fotografisë së shpërndarë.
Postimi i tij ka marrë komente të shumta pozitive si dhe shpërndarje të shumta.
Përditësim: Pas raportimit aparati i është kthyer pronarit. /Telegrafi/