Në ciklin e takimeve për buxhetim me pjesëmarrje, një nismë kjo e re e Komunës së Prizrenit, është mbajtur takimi i dytë me banorët e lagjes Kurilla.
Një javë pas propozimeve, ata përmes kutisë së votës përzgjodhën projektin më të mirë të lagjes së tyre “Ndërtimi i këndit të lojërave, vendosja e pompës termike dhe ndërtimi i ashensorit në shkollën “Motrat Qiriazi”.
Ky projekt, që u propozua nga vet qytetarët e kësaj lagjeje, do të financohet deri në 100 mijë euro nga Komuna e Prizrenit.
Kryetari Totaj tha se kjo nismë e re ka për qëllim ta zhvendos vendimmarrjen tek qytetarët për të votuar çka është më shumë në interesin e tyre dhe ta forcojë bashkëpunimin komunë-qytetarë.
Sipas tij, Komuna e Prizrenit zotohet që projekti i votuar do të financohet në shumën 100 mijë euro në bazë të kritereve të përcaktuara më herët.
“Paratë tona, idetë tona, Prizreni ynë” është nisma e buxhetimit me pjesëmarrje që po mbështetet nga programi USAID Kontrata Sociale.
Përpos lagjes Kurillë, këto takime janë mbajtur edhe në Zhur dhe do të mbahen në Reçan. /Telegrafi/