Telegrafi

Qytetarët të pakënaqur me gjendjen e rrugëve në kryeqytet

Qytetarët e Prishtinës ankohen se rrugët dhe trotuaret në kryeqytet janë vështirë të kalueshme. Sipas disa të anketuarve, gjendja e rrugëve në përgjithësi është shumë e keqe.

Arianit Gara ka thënë se është shumë vështirë të ecësh në rrugët e kryeqytetit, derisa i ka akuzuar komunarët se nuk po ndërhyjnë as me krip apo mjete tjera për ta përmirësuar gjendjen. “Boll katastrofë se nuk po i pastrojnë marum, na si studentë kur po enum marum as nuk po iu qesin krip as hiq kurrgjë, shumë keq është ka bëhet”, tha ai.

Edhe Behxhet Arifi e ka vlerësuar se gjendja e rrugëve është e keqe, derisa ka shtuar se në këtë gjendje për të keq ka ndikuar edhe hapja e kanalizimeve në shumë rrugë. “Gjendjen e rrugëve llom qe qysh kanë metë, këtu as nuk kanë qit krip, po duhet me u majt diqysh veç inshalla bohet mirë. Komuna nuk ka çka me bo po populli qata që punojnë në Komunë duhet me u vetëdijesua e me qit kripen, po badihava pasi po bien ditë për ditë edhe këta nuk po u rrinë gati se rrugët janë bërë llom në tona anët që i kanë qel këto kanalet për ujë”, është shprehur ai.

Mit’hat Vorfi, një qytetar tjetër nga kryeqyteti tha se rrugët janë shumë të rrezikshme jo vetëm për vetura por edhe për këmbësorë. “Gjendja e rrugëve katastrofë, 100 për qind e ki rrezikun në rrugë, 1 milion për qind në trotuar, nuk guxon me ecë trotuarit”, ka theksuar ai.

Por, ka edhe qytetarë që nuk e shohin shumë shqetësuese gjendjen e rrugëve me borë. Eset Ahmeti tha se nuk po e pengon një gjë e tillë. “Mirë, mua nuk po më pengon. Nuk është edhe aq e mirë po çka me bë, deri diku, krahasim me vendet tjera shumë më mirë është, komunave tjera”, ka thënë ai.

Por, Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës, ka thënë se kompanitë e angazhuara për pastrimin e rrugëve vazhdimisht janë duke e kryer punën e tyre. “Kompanitë që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve janë vazhdimisht në teren, vazhdimisht ekipet prej drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Inspekcionit që janë duke inspektuar punën që janë duke e kryer kompanitë e ngarkuara për mirëmbajtjen e rrugëve. Meqenëse kemi reshje të vazhdueshme të borës të gjitha rrugët nuk po mund të trajtohen në të njëjtën kohë por është duke u punuar me prioritete dhe me plan dinamik”, ka deklaruar Mullafazliu. /Kp/Telegrafi/