Shkarkimi i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, Veting për sistemin e gjyqësorit dhe pastrim të listave të veteranëve, kanë qenë tri kërkesat e protestuesve.
Edhe në protestën e sotme, protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimin: “Lumez Ik”, “Pishpirik je vet”, “Veting gjyqësirit”, “Nuk ka shtet pa gjyqësor të pavarur”, e tjera.
Protestuesit me thirrje për Veting e shkarkim të Lumezit, kanë marshuar nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, tek ndërtesa e kryeprokurorisë, e më pastaj tek ndërtesa e Qeverisë prej nga kanë dhënë mesazhin se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Publicisti Shkëlzen Gashi theksoi se shkarkimi i Aleksandër Lumezit duhet të bëhet për shumë arsye, por tri janë kryesore.
“Arsyeja e parë është se Aleksandër Lumezi është caktuar në pozitën e kryeprokurorit nga politika, në fakt nga parapolitika, nga Prontoja. Arsyeja e dytë është ndërhyrja e kryeprokurorit Lumezi në punën e prokurorit Blakaj, se pse ia ka intervistuar shefin Kadri Veselin. Madje prokurori Blakaj e ka intervistuar shefin e Lumezit vetëm si dëshmitar. Paramendojeni çka kish me ndodh nëse Elez Blakaj do ta intervistonte Kadri Veslein si të akuzuar. Kërkesa jonë e dytë është Veting për sistemin gjyqësor në Kosovë, që do të thotë rishqyrtim të vendimeve të deritanishme të personave kryesor në sistemin gjyqësor dhe verifikim të pasurisë të personave kryesor të sistemit gjyqësor, pra të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kërkesa jonë e tretë është pastrimi i listave prej mijëra veteranëve të rrejshëm e mashtrues, që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës me miliona euro”, tha Gashi.
Derisa, ka kërkuar ngritjen e aktakuzës për tërë komisionin për verifikimin e statusit të veteranit.
Akuza të ashpra ka pasur edhe ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilin e ka quajtur “kriminel me tru në muskuj”.
Gashi theksoi se janë mbledhur sot për t’iu treguar këtyre politikanëve se nuk do të lejojnë t’ua gërditin edhe me shumë Kosovën.
Gashi, pos kërkesave që i shtroi më lartë, tha se duhet të kërkojnë edhe dorëheqjen e krerëve institucional dhe zgjedhje të reja.
Ndërsa, aktivistja për të drejtat e grave, Igballe Rogova, tha se do të jenë në rrugë deri në zbatimin e kërkesave të tyre.
Ajo i ka quajtur të pafytyrë politikanët, të cilët po dalin publikisht dhe po tregojnë se po i përziejnë punët në drejtësi.
Aktivistja për të drejtat e njeriut, duke e quajtur odë burrash Qeverinë e Kosovës, tha se ekzekutivi bëri me shumë se 20 ministri e mbi njëqind zëvendësministra që të rehatojë militantët e vet.
Kritika e akuza pati edhe ndaj, siç e ka quajtur ajo, Sulltanit, Hashim Thaçi, për të cilin theksoi se nuk mjafton vetëm kërkimfalja, por duhet të jep dorëheqje, pasi me gratë e Gjakovës foli përmes Facebook-ut, duke kërkuar tolerancë.
Sipas saj, një president i mirëfilltë duhet të shkonte në Gjakovë dhe t’iu kërkonte nënave nëse duhet t’i lejojnë pelegrinët të shkonin në Gjakovë.
Krejt në fund, aktivisti Rron Gjinovci, improvizoi Kuvendin me qytetarët, duke iu kërkuar që ta miratojnë kërkesën që të mërkurën e javës së ardhshme të mbahet protesta tjetër.
Me ngritje dore, protestuesit miratuan që edhe javën tjetër të kërkohet dorëheqja e Lumezit dhe Veting për gjyqësorin. /kp/Telegrafi/