Në kohën kur liderët politik anë e mbanë botës janë duke përballur me vështirësitë e pandemisë COVID-19, përkrahja për presidentin rus Vladimir Putin ka rënë në nivelin më të ulët në këto 20 vitet e fundit.
Kjo sipas një ankete të realizuar me qytetarët në Rusi.
Në artikullin e publikuar nga BBC, jepet një pasqyrë se çfarë mendojnë njerëzit për Putinin në vendlindjen e tij, Shën Petersburg.
Kështu për ish-luleshitësen Milana Ivanova, autoritetet ruse janë diskredituar plotësisht.
“Unë isha luleshitëse, kurse bashkëshorti im ka qenë vozitës turistësh, këto lloje punësh janë goditur më së shumti. Njerëzit si unë janë braktisur. Ne jemi lënë të luftojmë vetë. Kurrë nuk kam menduar se do të më duhej të mbështetesha në pakot ushqimore”, thotë ajo.
E sipas saj, ndihmat nuk janë të mjaftueshme për mbijetesën e familjes.
“Ku është ndihma? Ku? A na kanë harruar që të gjithë? Unë nuk e shikoj televizionin shtetëror. Dikur e kam shikuar, dhe vërtetë u kam besuar asaj që thonin. Nuk e besoj më asnjë fjalë. Tash, lajmet i marrim vetëm nga internet”, shton ajo.
E pyetur nëse i beson Putinit, Ivanova tregon se është e zhgënjyer nga ky i fundit.
“Kam dashur t’i besoj atij. Tani nuk i besoj më. Gjatë marsit të kaluar, ne akoma kishim plane të mëdha. Tash nuk kemi kurrfarë planesh”, përgjigjet ajo.
Sipas BBC-së, në Shën Petersburg, kafenetë po bashkëpunojnë për të ofruar pako ushqimore, pako të cilat janë jetike për ata njerëz që janë në vështirësi.
Danil Kramorov nga bamirësia Nochlezhka tregon se sa njerëz janë duke kërkuar ndihmë aktualisht.
“Numri i atyre që po kërkojnë ndihmë, është dyfishuar gjatë dy muajve të fundit, dhe presim që kërkesat të rriten edhe më shumë. Po ashtu, kuzhina mobile e supës ka më shumë persona për të ushqyer tani. Ajo çfarë shihni këtu, janë pasoja të pandemisë COVID-19”, thotë Kramorov.
Në videon e BBC-së, thuhet se Putini është kuzhinier, i cili sapo është pushuar nga puna, e që ky i fundit thotë se do t’i duhet të vjedhë tani. /KP/