Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar edicionin e dhjetë të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) përmes të cilit ka bërë matjen e precpetimeve publike lidhur me besimin e qytetarëve në në institucione dhe çështje të ndryshme që lidhen me sigurinë.
Bazuar në këtë raport, Qeveria e Kosovës, Presidenti dhe Kuvendi i Kosovës ndajnë epitetin e institucioneve më pak të besuara, të ndjekura nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
“Ndryshimi i Qeverisë gjatë periudhës së pandemisë është përmendur si një arsye për humbjen e besimit në qeverinë aktuale, ndërsa polarizimet madhore politike kanë ndikuar në skepticizmin e qytetarëve ndaj Kuvendit. Qëndrimet politike dhe joefikasiteti i Presidentit të Kosovës në unifikimin e skenës politike ishin komente të shpeshta të të anketuarve për të justifikuar mosbesimin e tyre në këtë institucion”, thuhet në raportin e BKS-së, shkruan Telegrafi.
Nga ana tjetër, për sa i përket Agjencisë Kundër Korrupsionit, qytetarët nuk janë informuar për mandatin e saj, dhe arsyet e mosbesimit në këtë institucion lidhen kryesisht me nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë dhe elitën politike.
Po ashtu sipas këtij raporti mbi 40% e të anketuarve besojnë se këto institucione janë të korruptuara ose shumë të korruptuara.
Qeveria e Kosovës konsiderohet institucioni më i korruptuar, me 72 për qind të të anketuarve që deklarojnë se Qeveria është e korruptuar ose shumë e korruptuar.
Ndryshe institucioni më i besueshëm për qytetarët sipas këtij raporti ka dalë të jetë Forca e Sigurisë së Kosovës me 81 për qind të të anketuarve që kanë besim ose besim të plotë në të. /Telegrafi/