Site icon Telegrafi

Qytetarët nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina duhet të kenë test PCR negativ kur të futen në Maqedoninë e Veriut

Qeveria ka pranuar propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive sipas të cilës qytetarët që vijnë nga Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina duhet të kenë test negativ që të hynë në Maqedoni.

“Në seancën e saj të 75-të të ditës së sotme, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshim në vendimin për masat për parandalimin e futjes dhe përhapjes së coronavirusit COVID-19, me të cilin qytetarët e Republikës së Serbisë, Republikës së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës pas hyrjes në vendkalimin kufitar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do t’ju kërkohet të paraqesin vërtetim mjekësor me rezultat negativ të testit RT PCR SARS-CoV-2, të bërë 72 orë para se të hyni në territorin e vendit tonë dhe të plotësojnë një deklaratë me të dhëna personale për vendbanimin dhe periudhën e qëndrimit”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Ky vendim hyn në fuqi prej nesër (9 korrik).

Qytetarët e shteteve të larpërmendura të cilët vetëm transitojnë nuk mund të qëndrojnë më shumë se 5 orë dhe nuk guxojnë të dalin nga autostrada apo rruga regjionale nëpër të cilën kalojnë.

Përndryshe, Maqedonia i hapi kufijtë tokësor me fqinjët me 16 qershor dhe me 18 qershor e hapën aeroportin në Shkup dhe Ohër. Ky është vendim i sjellë nga Qeveria dhe i propozuar nga Komisioni për Sëmundje ngjitëse në Maqedoni. /Telegrafi/

Exit mobile version