Telegrafi

Qytetarët në Kosovë mendojnë se politikanët janë të pandëshkueshëm nga ligji

Mbi 65 për qind e qytetarëve në Kosovë besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji. Sipas tyre personat të cilat janë të përfshirë në politikë janë të pandëshkueshëm. E më shumë se gjysma e qytetarëve në vend mohojnë të kenë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë.

Kështu u tha sot në prezantimin e të gjeturave të botimit të pestë të indeksit të performancës së institucioneve te sundimit të ligjit në Kosovë, nga Grupi për studime juridike dhe politike.

Me temë “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetarë ndaj këtyre institucioneve”, janë bërë krahasime për periudhat gjatë viteve 2013-2019.

Rreze Hoxha nga GLPS tha se përkundër agjendës “Drejtësia 2020” dhe procesit të rishikimit funksional që të dyja të nisura nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim kryesor sigurimin e mbarëvajtjes dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi, nga të dhënat del se më shumë se gjysma e qytetarëve nuk besojnë se ka përmirësime në sistemin e drejtësisë.

“Ky edicion është bazuar në të dhëna të perceptimit qytetar mbi punën e institucioneve zbatuese të ligjit, në raportet vjetore të Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës dhe në Ligjin për Buxhetin, duke bërë krahasime për periudhat gjatë viteve 2013-2019. Nga të dhënat e analizës del se më shumë se gjysma e qytetarëve mohojnë të kenë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë. Më pak se 30 për qind besojnë se kanë vërejtur efekte pozitive në këtë aspekt”, tha Hoxha.

Aurora Mullatahiri nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se në bazë të të dhënave qytetarët i besojnë më së paku gjykatave, pasi mendojnë që kanë influencën më të madhe nga politika.

“Sa i përket ndikimit politik për vitin 2019, rreth 65.2 për qind e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 10.3 për qind prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë. Në krahasim me vitin e kaluar trendi është pozitiv, pasi që kemi rënie prej 5.5 për qind të besimit se politikanët janë të pandëshkueshëm, megjithëse shikuar si tërësi ky indikator tregon se më shumë se gjysma e popullsisë besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia”, u shpreh Mullatahiri.

Sipas Grupit për Studimeve Juridike dhe Politike, rreth 40 për qind e qytetarëve të anketuar konsiderojnë se Policia e Kosovës është institucioni më i pavarur, ndërsa 11.7 mendojnë se gjykatat janë të pavarura në ushtrimin e detyrës së tyre, sikurse edhe prokuroria me përqindje prej 12.5.

“Edhe te Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës shpërndarja e buxhetit për të dyja këto institucione ka shkuar në të dyja rastet 75 për qind në paga dhe mëditje”, tha Mullatahiri.

Për Këshillin Prokurorial të Kosovës në vitin 2018 u ndanë 11 milionë euro, ndërsa për Këshillin Gjyqësor 23 milionë euro, përqindje që nuk arrin as një për qind të buxhetit të shtetit. /KP/