Në këtë periudhë të vitit, zakonisht vendi po përballet me ajër të ndotur. Por, këtë vit institucionet thonë se është më pak i ndotur krahasuar me vitin e kaluar. Përkundër kësaj, qytetarët thonë se po ndihen të rrezikuar.
Për Islam Ajetin, banor i kryeqytetit, ndotja e ajrit po përbën rrezik për shëndetit. Për këtë gjendje ai lë në faj institucionet.
“Institucionet e kanë lejuar të vjen kjo gjendje sa i përket ndotjes. Ajri rrezik për të moshuar e të rinj, e lërë më për të sëmurit kronikë”, shprehet Islam Ajeti.
Edhe qytetarë të tjerë ndjejnë rrezik nga ajri i ndotur, madje kërkojnë nga institucionet alternative e jo vetëm ankesa, përcjell Telegrafi.
“Asgjë s’kanë bërë. Fjalë po. Nga zyrat fjalë po, ama në praktikë institucionet asgjë nuk kanë bërë. Për të ndaluar thëngjillin duhet të gjenden mënyra alternative që njerëzit të ngrohen. Askush nga dëshira nuk e përdorë thëngjillin”, shprehet qytetari Arif Arifi.
Ministri në Detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se krahasuar me vitet e kaluara këtë vit niveli i ndotjes është më i ulët. Ka shtuar se në luftimin e ndotjes së ajrit mund të ndihmoj edhe Ministria e Infrastrukturës.
“Ministria e Infrastrukturës duhet të zbatojë Ligjin sa i përket emitimit të gazrave në ajër, ta zëmë nga automjetet që qarkullojnë”, deklaroi Fatmir Matoshi.
Ndërkaq pulmologu Skënder Baca tregon se si duhet të veprojnë qytetarët në këto ditë kur ajri nuk është në nivelin e duhur.
“Ne individualisht ta mbrojmë vetveten duke vendosur maskë apo duke përdoruar transportin publik apo automobilistik dhe natyrisht të qëndrojmë në shtëpi sa të kemi mundësi dhe të marrim lëngje të çajrave sa më shumë”, deklaroi pulmologu Skënder Baca.
Ndryshe edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje që shmangen daljet kur ajri është i pashëndetshëm ”Mos dilni pa ndonjë nevojë të domosdoshme sidomos personat me sëmundje të mushkërive e të zemrës” thuhej mes tjerash në reagimin e IKSHP-së./Telegrafi/