Telegrafi

Qytetarët mendojnë se nuk ka arsye që të festohet 1 Maji

Papunësia e madhe, varfëria, privatizimi…, janë probleme të mëdha për të cilat shumë qytetarë mendojnë që nuk ka asnjë arsye për festë.

Anë e mbanë botës sot po festohet për të Drejtat e Punëtorëve. Të njëjtën gjë po e bën edhe Kosova, edhe pse punëtorët këtu nuk kanë pothuajse asnjë të drejtë.

Qytetarët shprehen të revoltuar me gjendjen në të cilën është Kosova sot, ndërsa qytetarët krejtësisht të papreokupuar po festojnë këtë ditë.

Izet Zhuja, njëri nga qytetarët, i pyetur se a do duhej të festonin kosovarët sot, tha se me këtë lloj diskriminimi që po u bëhet sot punëtorëve, kosovarët nuk kanë asnjë arsye për festë.

“Sipas mendimit tim edhe në këtë shoqëri bëhet një lloj diskriminimi. Ata që do duhej të pushonin, do të thotë punëtorët privatë, të sektorit privat, të cilët janë më të munduar, të cilët janë më pak të shpërblyer, të cilët nuk i gëzojnë të drejtat e veta ashtu siç duhet, sepse pronarët po ju cungojnë të drejtat, sidomos në Kosovë, ata do duhej të pushonin. Kurse sektori shoqëror i cili nuk ka ngarkesë aq të madhe, ata pushojnë, bile edhe i lidhin ditët njëra pas tjetrës, i bëjnë tri-katër ditë e pesë ditë”, tha Zhuja.

I këtij mendimi ishte edhe Maliq Lushaku, njëri nga qytetarët i cili sot po pushonte. Ai tha se gjendja në të cilën gjendet Kosova, nuk është për t’u festuar por për t’u qarë.

“Sa i përket festimit në Kosovë, sot është për t’u qarë jo për tu festuar”, tha Lushaku.

Ndërsa qytetari Xhelal Bajqinovci, tha se qytetarët më parë do duhej të protestonin se sa të festonin për gjithë ato padrejtësi që po u bëhen.

Megjithatë, qytetarët duket se nuk i shqetëson shumë fakti a kanë të drejta a jo si punëtorë, aq sa i gëzon fakti që 1 Maji është festë zyrtare dhe duhet pushuar. /KP/