Si zakonisht 1 Maji në vendin tonë nuk u shënua vetëm më protesta. Madje, si tradicionalisht edhe kësaj radhe në këtë ditë u festua.
Gërmia po vazhdon të mbetet destinacioni i preferuar për qytetarët për të kaluar ditën e 1 Majit. Fadil Hodaj aq kohë sa kishte jetuar në Prishtinë kishte vizituar këtë vend për çdo 1 Maj, e nuk mungoi as sot.
“Jam i lindur e i rritur në Prishtinë, por tash jetoj jashtë vendit. Kam ardhur këtu për disa ditë, dhe po e shijoj këtë vend për disa ditë dhe njëkohësisht po kujtoj rininë”, tha Fadil Hodaj, për RTV Dukagjinin.
Ejup Ibrahimi thotë se punëtorët e Kosovës e meritojnë një ditë për të festuar.
“Për 1 Maj, duhet me festua rinia e i gjithë populli”, shprehet Ejup Ibrahimi.
Por jo të gjithë mendojnë si Ejupi. Ka të atillë që thonë se në këtë ditë punëtori duhet të ngrit zërin për të drejtat e tij.
“Bash në Kosovë nuk është nevoja me festua por me protestua. Me protestua sepse nuk punohet për të ardhmen e rinisë sonë. E ardhmja nuk është që kur të mbron i riu një fakultet e të punoj kamerier”, shprehet një qytetar rasti.
“Mora pjesë në protestë por nuk pat shumë njerëz. Nuk janë të preokupuar për punën dhe të drejtat e tyre”, shprehet një qytetare.
“Punëtorët kanë mbarua, sepse po i marrin në punë me kontrata. E kur po mbarojnë kontratat këta po mbesin sakat”, shprehet një i moshuar.
1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës./RTV Dukagjini/Telegrafi/