Qytetarët e Maqedonisë janë shprehur kundër vendimit të qeverisë për të marrë hua përmes euro-obligacioneve në vlerë prej 650 milionë eurove. Ata thonë se kanë shumë pak ose aspak njohuri për atë se si shpenzohen mjetet nga arka e shtetit, veçanërisht për arsyen e marrjes së kredisë dhe destinimit të saj, njofton REL.
Visar Halimi 30 vjeç, i cili punon si taksist, thotë se të gjithë duhet të angazhohen që të bllokohet huamarrja e Qeverisë së Maqedonisë, sepse këto para nuk shpërndahen në formë të barabartë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
“Krejt këto para do t’i vjedhin pushtetarët. Do t’i investojnë diku një milion dhe një milion do tjetër do ta fusin në xhep. Ashtu siç kanë bërë gjerë më tani. Asgjë nuk do të ndërtojnë për të përmirësuar jetesën e qytetarëve. Tërë kohën ndërtohen statuja nga ana tjetër e Vardarit, kurse në këtë pjesë të banuar me shumicë të popullatës shqiptare s`ka asnjë investim”.
Radio Evropa e Lirë: Mendoni se nuk duhet të merret kjo kredi?
“Gjithsesi se nuk duhet të merret kjo kredi. Këto para do të përfundojnë në xhep të politikanëve. Duhet të formohet sa më parë qeveri kalimtare dhe të shkohet në zgjedhje. Gjithmonë kur kjo qeveri ka marrë hua askush nuk e di ku përfundojnë këto para”, thotë Halimi.
Edhe Martin Trenevski vlerësonse shteti nuk duhet të marrë borxh në një periudhë parazgjedhore në të cilën ndodhet vendi.
“Po futemi në borxh dhe askush asgjë nuk na thotë se pse merret ky borxh. Nuk është prezantuar asnjë program nga ana e autoriteteve shtetërore se ku dhe për çka do të shfrytëzohen këto mjete”.
“Ne si qytetarë apo jo, duhet të informohemi se ku shkojnë paratë nga buxheti i shtetit? Nuk është mirë të heshtet për këtë çështje”, thotë Martin Trenevski.
Ndërsa Ilmi Muca, shpreh bindjen e tij se mjetet e marra hua, në asnjë mënyrë nuk do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.
“Jam qind për qind i sigurt se paratë e marra hua nuk do të shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve, të gjitha do t’i fusin në xhep ata që janë në qeveri. Shumë herë është marrë kredi dhe ato mjete kanë shkuar për të ndërtuar statuja luanësh. Ato statuja nuk të japin bukë, duhet të hapen fabrika, vende pune për të rinjtë”, thotë Ilmi Muça 60 vjeç.
Ndryshe, në rrjetet sociale është ndërmarrë një nismë për mbledhjen e nënshkrimeve ku qytetarët do të shprehen se nuk pranojnë obligimin prej 650 milionë eurove sepse këto mjete të marra kredi do të duhet t’i kthejnë me një kosto shumë të lartë pasardhësit e tyre për më shumë vite duke prezantuar për çdo sekondë thellimin e borxhit.
Ndërkohë, sociologët konsiderojnë se mungesa e informacioneve rreth rrjedhës shpenzimeve të arkës shtetërore ajo ka bërë që qytetarëte Maqedonisë të jenë pasiv në shprehjen e revoltës së tyre dhe kërkojnë llogaridhënie nga ana e qeverisë për çdo denarë të shpenzuar nga arka e shtetit dhe paratë e marra kredi.
“Të gjitha institucionet e pushtetit qendror po edhe atij vendor edhe kundrejt insistimit të faktorit ndërkombëtarë që në transparencë të plotë të shpenzohen këta mjete , në formë mistike shpenzojnë për vite të tëra këto mjete. Këtu faj kanë dhe mediat të cilat me përjashtime të vogla shumë pak kanë informuar për rrjedhën e fondeve IPA po edhe mjeteve të cilat merren si kredi andaj dhe qyetarët nuk kan njohuri të mjaftueshme rreth realizimit ose mos realizimit të projekteve që promovohen nga qeveria dhe kjo e bën që mos shprehin dhe aq revoltë”, thekson Gjorgje Tonovski, sociolog.
Ndryshe, agjencia e lajmeve Reuters, të enjten ka njoftuar se Maqedonia në bursën botërore ka ofruar obligimin në vlerë prej 650 milionë eurove me kamatë të pritur prej 5% për shtatë vite.
Akoma nuk është bërë e ditur se cilët investitorë janë të interesuar për euro-obligacionin e ofruar nga Qeveria e Maqedonisë dhe a do të arrihet shuma e kërkuar në vlerë prej 650 milionë euro hua në formë të euro-obligacioneve. /Telegrafi/