Site icon Telegrafi

Qytetarët kërkojnë drejtësi për Shkëlqim Pllanën

“Drejtësi për Shkëlqimin – Stop dhunës” ishte parulla që mbanin në duar qytetarët që kishin dalë për të marshuar në kërkim të drejtësisë për Shkëlqim Pllanën, i riu që u vra me thikë para disa ditësh.

Me këtë rast marshuesit bënë thirrje që dorasi të marrë dënimin e merituar.

Qytetarët kishin veshur fanellat me fotografinë e futbollistit tashmë të ndjerë mbi të cilën ishte shkruar “Gjithmonë në zemrat tona”.

Motra e të ndjerit Shkëlqim Pllana, Florenta Pllana, tha se dhimbja për të vëllanë është e pangushëllueshme, e këtë siç tha ajo, e bënë edhe më të rëndë fakti se ai u vra.

“Lajmi se Shkëlqimi vdiq na tronditi të gjithëve. Por, më shumë kulm i vuri dhimbjes tonë, lajmi se atë e vranë. Një djalë i ri, i buzëqeshur, plot jetë e ëndrra për të ardhmen, nuk është më në mesin tonë, por ai jeton brenda nesh. Duke qenë i pazëvendësueshëm sot, na kujton boshllëkun e madh që la pas. Nuk duhej të prisnim këtë ditë të zezë, për të thënë një gjë të tillë, sepse ai meritoi më shumë nga kjo botë”, u shpreh ajo.

Duke folur për atributet e të vëllait, Pllana iu drejtua të pranishmëve duke i bërë thirrje rinisë që të lënë vrasjet e ‘thikat pas shpine’.

“Oj rini e përgjumur zgjohuni. A nuk e shihni si na ikin nga duart më të shtrenjtit tanë. A nuk ndjeni apo jeni të mpirë nga ligësia, nga mendjemadhësia. Zgjohuni njëherë e përgjithmonë. Mjaft më. A nuk u ngopët dot nga armiqësi, nga shikimet e vrazhda e miqësitë e rreme. A nuk u ngopët nga ‘thikat pas shpine’. Mjaft vratë”, thirri ajo.

Ndërsa kushëriri i Shkëlqim Pllanës, Lorent Zymeri, shprehi pakënaqësi me gjendjen e sigurisë në vend, ndërsa bëri thirrje që të shtohet mbikëqyrja në shkolla.

Ai teksa kujtoi kushëririn dhe virtytet e tij, bëri apel që dorasi të marrë dënimin e merituar.

“Ftojmë organet e rendit dhe sigurisë që të marrin aksione të shpeshta dhe të rrepta në mbikëqyrjen e shkollave dhe vendeve ku frekuentojnë të rinjtë, për të pasur nën kontroll ngatërresat dhe lëvizjet e dyshimta në shoqëri, sidomos në parandalimin e akteve tragjike dhe shpartallimin e grupeve të krimit. Ftojmë organet e drejtësisë, Prokurorinë dhe gjykatat e vendit, që rastet e tilla t’i trajtojnë në mënyrë të ndershme dhe pa anime, duke ju dhënë dënimin meritor akterëve, por edhe nxitësve të këtyre akteve kriminale”, tha ai.

Parandalimi i veprave kriminale sipas Zymerit, ka rëndësi jetike, pasi që sipas tij, ndryshe nuk mund të ndalet e keqja. Teksa apeloi edhe prindërit që të mbështesin fëmijët e tyre, në mënyrë që të luftohen dukuritë negative në Kosovë, që sipas tij nuk janë të pakta.

Futbollisti 17 vjeçar Shkëlqim Pllana vdiq nga plagët e marra më 11 dhjetor të këtij viti, ndërsa pas vetes la prindërit dhe dy motra.

Exit mobile version