Telegrafi

Qytetarët e Tetovës ballafaqohen me probleme në parking, edhe paguajnë edhe gjobiten (Foto)

Në redaksinë e Televizionit Shenja ka arritur një ankesë e qytetarëve lidhur me Ndërmarrjen Publike “Parkingu i Qytetit-Tetovë”. Qytetarët rrëfejnë se ata fillimisht kanë paguar parking për një orë për automjetin e tyre. Më pas, ata kanë paguar edhe për një orë shtesë, pasi e kanë vërejtur se u është dashur të lënë veturën të parkuar për më shumë se një orë.

Mirëpo, në ndërkohë, autoritetet kanë vendosur që të dënojnë qytetarët në fjalë, edhe atë në mënyrë skandaloze. Në veturë, është vendosur njoftimi se vetura është bllokuar në ora 11:50. Qytetarët menjëherë janë ankuar se kanë bërë pagesën edhe për një orë shtesë, por ankohen se nuk janë përfillur fare.

Në njoftimin e vendosur në makinë, qëndron vetëm ora, e jo edhe data se kur është marrë i njëjti vendim. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, ata menjëherë kanë paguar dënimin në vlerë prej 1.000 denarëve, diku rreth orës 12:00. Mirëpo, në llogarinë fiskale që kanë marrë, qëndron se pagesa është kryer në ora 12:30, gjë që ka revoltuar skajshmërisht qytetarët./Telegrafi/