Qytetarë të shumtë kanë filluar aksione për të ndihmuar familjarët e të lënduarve në aksidentin e tmerrshëm në Llaskarcë të Shkupit, njofton Telegrafi Maqedoni.
Anita Hristova dhe Albulena Karaga kanë ofruar shtëpitë e tyre për familjarët që janë duke pritur informacione për gjendjen e familjarëve të lënduar e që janë duke u trajtuar në spitalin “8 shtatori” në Shkup.
“Jetoj në afërsi të spitalit “8 shtatori”, nëse dikush nga familjarët e të lënduarve ju duhet vendqëndrim, unë jam në dispozicion” ka shkruar Anita Hristovska.
“Jetoj afër spitalit të qytetit në Shkup. Nese njihni dikë nga familjarët e të lënduarëve apo viktimave që kanë nevojë të vendosen përkohësisht, më shkruani në inboks” ka shkruar Albulena Karaga.
“Ju lutem nëse dikush ka nevojë për vendqëndrim ne Shkup nga te afërmit e te lënduarve , lirisht mund te me shkruani ne inbox”, shkruan Xhenet Bilalli në “Facebook”.
Përndryshe janë bërë apele edhe për ndihma tjera dhe mbledhjen e njësive të gjakut që t’i kenë në dispozicion të lënduarit nga ky aksident i kobshëm. /Telegrafi/