Site icon Telegrafi

Qytetarët e Prishtinës të shqetësuar me rënien e nivelit të ujit në liqenet akumuluese, paralajmërohen reduktime të ujit

Rënia e nivelit të ujit në liqenet akumuluese nga të cilat furnizohen me ujë qytetarët e rajonit të Prishtinës, po shqetëson banorët.

Edhe pse jetojnë fare afër liqenit të Batllavës, banorët e fshatrave për rreth, ankohen për mungesë të ujit.

“Kjo është mungesë shumë e madhe e ujit për Batllavën”, thotë  për RTV Dukagjinin banori Rexhep Zeka.

“Një gjendje e tillë ka qenë edhe në vitin 2014 por këtë vit është më shqetësuese gjendja për shkak edhe të mungesës së reshjeve atmosferike. Zakonisht Batllava mbushet nga bota që shkrihet prej kodrave përreth. Fatkeqësisht këtë vit ka mungesë të reshjeve dhe nëse vazhdon kjo gjendje do të jetë situatë shqetësuese”, shprehet banori tjetër Mërgim Jashari.

E disa nga ta thonë se kjo gjendje po i lë edhe pa ujë të pijes.

“Është shumë shqetësuese situata pasi ka rënë shumë niveli i ujit shumë”, thotë banori Xhelal Ibrahimi.

Gjendja është shqetësuese edhe në liqenin tjetër, atë të Badovcit. Madje, Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” përmes një njoftimi bëri të ditur se niveli në të dyja liqenet ka rënë për rreth 10 metra nën nivel.

Ndërkaq, për përmirësimin e gjendjes, shpresa mbetet tek reshjet atmosferike.

“Në këtë fazë apelojmë që të kursehet uji i pijes aq sa është e mundur. Do të presim edhe reshjet sidomos në pranverën e hershme në mënyrë që të përmirësohet situata me ujërat e liqeneve”, tha për “Zyrën e Ankesave”, Ilir Abdullahu.

Abdullahu tha se nëse për një kohë nuk do të ketë as reshje, atëherë mund të ketë reduktime. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version