Pjesa dërmuese e qytetit të Mitrovicës po përballen me mungesë të energjisë elektrike nga e mërkura, ndërkaq pasojë e mungesës së energjisë mungon edhe furnizimi me ujë të pijshëm.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, në një prononcim për Telegrafin tha se ekipet janë në terren ku pritet sanimi i prishjeve.
“Ka prishje në tensionin e lartë 35 KV. Ekipet janë duke e rregulluar prishjen. Linja e cila shkon nga qyteti i Vushtrrisë ka prishje ku një pjesë e Mitrovicës është pa energji elektrike. Jemi duke shkuar me reduktime alternative. Kjo çështje do të zgjidhet sot rreth orës 13:00”, ka thënë Buzhala.
Ndërsa, zëdhënësi i Ujësjellësit Regjional të Mitrovicës, Niman Baliu në një prononcim për Telegrafin tha se qytetarët do të furnizohen me ujë nga momenti që të rikthehet energjia elektrike në qytet.
“Si pasojë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të fabrikës se ujit të pijes në Shipol, është ndërprerë prodhimi i ujit. Në momentin që KEDS të rikthej furnizimin me energji elektrike, ujësjellësi do të filloj furnizimin me ujë të pijes”, ka thënë Baliu./Telegrafi/