Sipas hulumtimit që e zbatoi Instituti për Hulumtime Politike – Shkup, tetë nga dhjetë qytetarë shprehen se sektori publik është i partizuar.
Sipas këtij hulumtimi, 80% e qytetarëve shprehen se sektori privat është i partizuar dhe vetëm 8.2 shprehen se nuk është i partizuar, njofton Telegrafi Maqedoni.
Më tej thuhet se 42.5% e të anketuarve thonë se asnjëherë nuk do të mund të punësohen në sektorin publik pa librezë partiake, ndërsa 21.8% thonë se ka pak gjasa.
Më pak se një e katërta apo 22.3% shprehen se të punësuarit në sektorin publik po i kryejnë obligimet e tyre ndërsa mbi gjysma e të anketuarve apo 55.1% thonë se punëtorët e administratës janë të angazhuar për kryerjen e interesave partiake.
Në krahasim me vitet e kaluara, shkruan Telegrafi, shumica e qytetarëve thonë se niveli i partizimit të administratës është rritur. Një qëndrim të tillë kanë 35.6% e të anketuarve, ndërsa 30.6% thonë se nuk ka ndonjë ndryshim. Vetëm 15.2% e të anketuarave thonë se partizimi i administratës publike është zvogëluar.
Dy e treta e të anketuarve apo 66.5% thonë se partitë politike pas zgjedhjeve punojnë më shumë për interesat e tyre se sa për interesin e qytetarëve kurse qëndrim të kundër kanë 16.4% e të anketuarave.
Që të rritet cilësia e shërbimeve në administratë publike, pjesa më e madhe e qytetarëve po 27.7 thonë se duhet të ngriten kriteret për punësim dhe të forcohet kontrolli në punë. 27.4% thonë se cilësia e shërbimeve do të rritet me dënime, 14.3 me rritje të pagave, 9.7% me digjitalizim të shërbimeve dhe 8.2% me rritjen e numrit të të punësuarve.
Edhe pas këtij mendimi për sektorin publik, qytetarët shprehen se do të zgjedhnin sektorin publik para atij privat. 41% e të anketuarve do të zgjedhnin sektorin publik dhe vetëm 36% atë privat.
Pas nisjes së bisedimeve me BE-në, 35.8% e të anketuarve thonë se partizimi në sektorin publik do të mbetet i njëjtë ndërsa 32.6% presin ulje dhe 11,7 presin të rritet partizimi.
Hulumtimi është bërë përmes telefonit në periudhën prej 10-13 shkurt me 1.104 të anketuar./Telegrafi/