Site icon Telegrafi

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të zhgënjyer nga polarizimi i elitave politike

Bllokimi i ligjeve në Kuvend dhe mungesa e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit, janë dy problemet kryesore sipas raportit të fundit të Fredoom House, ku flitet për Maqedoninë e Veriut.

Raporti me titull “Lufta thellon ndasitë rajonale”, që u publikua më 24 maj, ka në fokus zhvillimet e vitit 2022.

Ky raport thotë se vendi ndodhet në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku qytetarët janë të zhgënjyer nga elitat politike, të cilat nuk arrijnë të shtyjnë përpara realizimin e reformave si rrjedhojë e polarizimit të skajshëm politik.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut vërehet polarizim i fuqishëm politik. Bllokimi i Kuvendit pengon miratimin e ligjeve në nivel kombëtar”, thuhet në raport.

Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” thotë për Radion Evropa e Lirë se për një periudhë të caktuar, për fat të keq, nuk ka indikacione se partitë politike “do t’i ulin shtizat dhe bashkërisht të fokusohen në realizimin e detyrimeve për t’i dhënë shtytje procesit integrues”.

“Gjatë këtij viti pres që edhe më shumë të thellohet polarizimi politik. Sigurisht se ky polarizim ka ndikuar dhe në bllokimin e Parlamentit”.

Albert Muslin nga Asociacioni për Zhvillimin e Demokracisë, që përcjell transparencën e institucioneve, thotë për REL-in se ky polarizim është si rrjedhojë e papërgjegjshmërisë së udhëheqësve politikë.

Ai thotë se bllokimi i punës së Kuvendit po bëhet në mënyrë irracionale ku “deputetët i japin të drejtë vetes ta bllokojnë procesin në mënyrë të papërgjegjshme”.

Në raportin e Freedom House thuhet se qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë të zhgënjyer nga pritja shumëvjeçare për anëtarësim në BE, dhe se ata janë skeptikë se anëtarësimi do të ndodhë shpejt, porse e mbështesin anëtarësimin në familjen evropiane.

Në këtë raport thuhet se “qytetarët e Ballkanit Perëndimor ndihen të braktisur nga elitat vendore që kundërshtojnë reformat demokratike, si dhe nga elitat ndërkombëtare që janë të pavendosura për ta ndjekur procesin e aderimit”.

Troshanovski vlerëson se ndihma e ndërkombëtarëve është vënë në dyshim nga ana e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, pasi në procesin e anëtarësimit në BE asaj i kërkohet të plotësojë kushte që nuk kanë të bëjnë me kriteret e Kopenhagës.

Sipas tij, sa më shumë të zgjasë procesi i integrimit në BE, “BE-së do ta shohin si vend ku dëshirojnë të migrojnë – dhe jo se integrimi do të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre në vendin ku jetojnë”.

Ndërsa, Musliu thotë se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në synimin e saj për t’u bërë pjesë e BE-së, por, sipas tij, sa më shumë që zvarritet ky proces, do të rritet euro-skepticizmi si rrjedhojë e dezinformatave që vijnë nga qendrat kundër procesit eurointegrues për vendet e Ballkanit Perëndimor”./REL/

Exit mobile version