Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga e kaluara ka hapur lëndë ku përfshihen pjesëtarë të lartë të Qeverisë, si dhe drejtues të komunave që i takojnë shumicës parlamentare.
Por, ekspertët theksojnë se për të vlerësuar pozitivisht punën e këtij organi duhet pritur rezultate konkrete në sistemin e drejtësisë.
Nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit bëjnë të ditur se nga shkurti i këtij viti kur ka filluar me punë përbërja e re e këtij organi, ka pranuar mbi 500 lëndë që ndërlidhen me korrupsionin.
“Për një periudhë të shkurtër kohore, kemi pranuar një numër të madh të lëndëve dhe ne si komision ndaj tyre kemi vepruar në kohë edhe pse akoma mbeten lëndë që nuk kanë arritur të hapen”.
“Më duhet të theksoj se lëndët shpërndahen sipas parimit të alfabetit, tek çdo anëtar dhe nuk ka mundësi që anëtarët vetë të zgjedhin ndonjë lëndë të caktuar kjo ka bërë që të arrijmë të dëshmojmë edhe para opinionit se Komisioni në fjalë nuk vepron në mënyrë selektive”, thotë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Nuri Bajrami.
Ekspertët nënvizojnë se rezultatet konkrete të Komisonit anti-korrupsion, janë ato që do të kontribuojnë në vlerësimin e vendit sa i përket përpjekjeve në drejtim të luftës kundër korrupsionit në një moment kur Brukseli vlerëson institucionet e Maqedonisë së Veriut në raport me realizmin e reformave dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.
Arif Musa, ish anëtar i komisionit, për Radion Evropa e Lirë thotë se anëtarët e komisionit duhet të fokusohen në punën e tyre duke i përballur me drejtësinë ata që kanë shkelur ligjet dhe jo të prodhojnë spektakël para opinionit se po hap lëndë dhe nga ana tjetër pjesa më e madhe tyre të bien në ujë duke mos i procesuar fare si rrjedhojë e mungesës së dëshmive.
“Unë nuk dua të paragjykoj prej tani për punën e komisionit në fjalë, dua të mbaj qëndrimin që kemi të gjithë ne në këtë moment se si përbërje janë shumë aktiv, janë transparent, por nëse do të mungojnë rezultatet nga procesimi i lëndëve, gjithë çka që do mbetet është spektakli që ofron ky komision në seancat që transmetohen drejtëpërdrejtë në opinion. Qytetarët presin rezultate konkrete dhe jo vetëm spektakël”, thotë Arifi.
Nga ana tjetër, Nuri Bajrami, thotë se askush nuk do të kursehet, qoftë pjesë e strukturave të pushtetit ose opozitës.
“Me përgjegjësi mund të them se ndikimi është absolutisht zero, qoftë nga ana e subjekteve politike apo ndonjë strukturë tjetër”, thotë Bajrami./REL/