Site icon Telegrafi

Qytetarët e Maqedonisë ankohen për taksat e larta rrugore dhe rrugë të shkatërruara (Video)

480 denarë duhet të paguani taks rrugore në udhëtoni nga Kumanova në Gostivar dhe anasjelltas.

Qytetarët ankohen se këto çmime janë shumë të larta dhe jo adekuate për standartin e Maqedonisë . Qytetarët gjithashtu ankohen se rrugët nuk mirëmbahen sa duhet.

“Një kohë të gjatë nuk kam udhëtuar por kam dëgjuar nga të tjerët dhe mendoj se është shtrenjtë. Duke marrë parasysh gjendjen e rrugëve. Unë po ju them se nuk duhet të paguajnë aq, për shkak se këto kushte dhe rrugë as nuk hyjnë në krahasim me rrugët në vendet perëndimore. Kështu që ne përpos që paguajmë për pikëpagesat rrugore, paguajmë edhe për riparimin e automjeteve.”

“Po, mendoj se janë pak të shtrenjta për ata që udhëtojnë çdo ditë për punë në Shkup, besoj që janë pak të shtrenjta”, thanë disa qytetarë.Sipas vendimit për mënyrën dhe lartësinë e çmimit të kompensimit për shfrytëzimin e rrugëve, çmimi vlerësohet në bazë të disa komponentëve, mes të cilave llogariten mjetet e nevojshme për ndërtimin e një kilometri autostradë dhe harxhimet për mirëmbajtjen e së njëjtës. Për këtë temë u diskutua mbrëmë edhe në emisionin ClickPlus, në të cilin Hysein Haliti nga ndërmarrja publike Rrugët shtetërore, theksoi se janë në ndërtim e sipër disa autostrada të reja, ndërkaq janë duke u riparuar edhe ato të vjetrat.

“Unë nuk jam ndonjë ekspert për ta vlerësuar, megjithatë shumica e autostradave janë në ndërtim e sipër. Asfalti i vjetër është duke u gërryer, dhe vendoset asfalt i ri. Në Maqedoninë Perëndimore, është duke përfunduar, ndërsa në Kumanovë vitin e kaluar ka përfunduar”, tha Hysein Haliti, N.P “Rrugët shtetërore”.

Në Maqedoni janë gjithsej 10 pikëpagesa rrugore, ndërsa sipas Halitit, numri i tyre do të rritet me ndërtimin e disa autostradave të reja, përpos kësaj ka edhe disa rrugë alternative që evitojnë pikëpagesat. Ekzistojnë 4 kategorizime për llojet e automjeteve, dhe varësisht nga pesha dhe madhësia e automjetit ndryshon edhe çmimi. Pikat pagesore më të shtrenjta janë ato në Sopot, Otovicë, Grackë dhe Rramali, ndërsa më të lirat janë në Gostivar dhe Tetovë.

18 institucione shtetërore janë të liruara nga pagesa ku bëjnë pjesë, ndihma e shpejtë, policia, zjarrëfikësit, automjetet me shoqërim policor dhe të tjerë. Ndryshe, pagesat rrugore bëhen vetëm për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e autostradave, ndërsa për rrugët rajonale paguhet veçmas, 50 euro gjatë regjistrimit të veturës./tv21/

Exit mobile version