Sot shënohet Dita Botërore e Kursimeve është një ngjarje e krijuar për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e kursimeve si për ekonomitë moderne ashtu edhe për individët. Kursimet janë të rëndësishme në ekonominë globale dhe çdo depozitues kontribuon në zhvillimin e tyre.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se kanë bërë shumë punë që të ketë rritje të vetëdijësimit për kursime. “Ne kemi bërë marrëveshje me Ministrinë e Arsimit për të pasur edukimin financiar në shkollat e Kosovës dhe kjo është shumë me rëndësi. Librat që i kemi botuar janë në katër gjuhë, po ashtu kemi edhe librat me zë”, theksoi Mehmeti sot në RTK.
Ai ka bërë ftesë fëmijëve të aplikojnë në konkursin për ese. “Ideja është e kësaj eseje që fëmijët të lexojnë sadopak për kursim dhe menaxhimin e parasë”, deklaroi ai.
Për sektorin bankar, Mehmeti tha se është njëra ndër shtyllat kryesore në ekonominë e Kosovës. Për situatën në të cilin gjendemi, në këtë kohë pandemie, Mehmeti tha se kjo pandemi ka ndikuar në Kosovë. “Diaspora është duke kontribuar në Kosovë, vetëm ardhja nga Zvicra e dërgimtarëve kontribuoi pozitivisht”, tha ai.
Mehmeti tha se tani kosovarët kanë kursime deri në katër miliardë. “Bankat nuk kanë nevoje të marrin jasht mjete, pasi që kanë depozita të mjaftueshme”, tha ai.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se bankat duhet të përmirësojnë ofertën për kredi.“Ne kemi koordinim të mirë me bankat, ne kemi marrë masa që ta ruajmë stabilitetin financiar”, tha ai.
Sipas tij BQK-ja gjatë kohës së pandemisë, ka marrë veprime e vendime që kanë bërë që të ketë lehtësira për qytetarët e vendit, njëri ndër vendimet ka qenë për kreditë për shtyrje të pabesave dhe ristrukturim të kredive. “Pritjet tona kanë qenë që të kemi rritje të kredive të këqija”, tha ai.
Mehmeti bëri me dije se kanë qenë në dispozicione për të përkrahur qeverinë për ligje.
“Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë e Kosovës”, tha ai.
Për rimëkëmbjen ekonomike, Mehmeti pret që të kemi lëvizje pozitive në vitin e ardhshëm.
“Kosova duhet të ndërrojë strukturën e ekonomisë”, tha ai.