Edhe në këto orë të vona, qytetarët e zonës së Durrësit të prekur nga tërmeti po qëndrojnë jashtë shtëpive të tyre në ambient të hapur, nga paniku i tërmeteve të shumta që kanë ndodhur vazhdimisht gjatë ditës.
Ndërsa, në stadiumin e qytetit të Durrësit, janë shumë qytetarë të vendosur nën çadra.
Në zonën afër plazhit, të Durrësit, në disa pjesë ka energji elektrike ndërsa në disa jo. Ekipet e shpëtimit janë në kërkim të të zhdukurve edhe në këto momente.
Autoritetet e Shqipërisë, ushtria, policia e mbështetur nga FSK dhe Policia e Kosovës, po ashtu edhe nga forca të shteteve të tjera përreth, po vazhdojnë të jenë afër qytetarëve.
Ekipi i KosovaPress-it njofton se qytetarët po mbështeten me ushqim pije, ndërsa po kujdesen edhe për vendqëndrimin tyre.
Kujtojmë, se deri në këto momente janë konfirmuar së paku 22 viktima dhe qindra të plagosur.