Site icon Telegrafi

Qytetarët duhet të paraqiten në zyrat e organizatave buxhetore për të verifikuar borxhet

Qytetarët që kanë borxhe ndaj institucioneve shtetërore ose ndërmarrjeve publike, e që përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve, duhet të paraqiten në zyrat e këtyre institucioneve ose ndërmarrjeve publike, për të verifikuar borxhin që kanë dhe mandej për të nënshkruar “Deklaratën për pagesë të plotë” ose “Marrëveshjen për pagesë me këste”, për borxhet që kanë pas periudhës 1 janar të 2009-s, shkruan sot Koha Ditore.

Ligji për faljen e borxheve ka hyrë në fuqi më tre shtator të këtij viti, ndërkohë që nga ai parashihet të përfitojnë të gjithë personat fizikë dhe juridikë që kanë borxhe ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, për periudhën deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

Kushti që duhet të plotësojnë borxhlinjtë për të përfituar është që të mos kenë borxhe ndaj institucioneve shtetërore e publike, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014, ose që të lidhin marrëveshje me institucionin shtetëror apo ndërmarrjen publike për pagesën e borxheve me këste për këtë periudhë.

Plotësimi i njërës prej këtyre dy kushteve, sipas Projektligjit, iu mundëson borxhlinjve që të përfitojnë edhe faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mospagesa me kohë e kryegjësë së borxhit për periudhën 01 janar 2009, deri me 31 dhjetor 2014. /Telegrafi/

Exit mobile version