Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot anketën e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 lidhur me besimin e të anketuarve në institucionet publike, si dhe perceptimet për korrupsionin dhe integritetin e administratës publike në vend.
Gjatë konferencës u lansua edhe platforma online e Barometrit të Sigurisë të Ballkanit Perëndimor (securitybarometer.qkss.org) që publikon dhe i bën të qasshme për publikun të gjitha të dhënat që merren nga anketa e Barometrit në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi.
Kjo platformë sipas njoftimit për media thuhet se i ofron publikut mundësinë për të analizuar, ndërvepruar, dhe filtruar të dhënat e ËBSB-së, të cilat mund të klasifikohen sipas shtetit, regjionit, kombësisë, moshës, gjinisë, llojit të vendbanimit etj.
“Sa i përket raportit të parë në lidhje me të dhënat për besimin e të anketuarve në institucione publike, institucionet e sigurisë kanë rezultuar se gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve në krahasim me institucionet tjera. Forca e Sigurisë së Kosovës është më e besueshmja me 83%, pasuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave me 73% dhe Policia e Kosovës me 72%. Siç shihet, qytetarët u besojnë më së shumti këtyre tri institucioneve të uniformuara. Pos tyre, dy institucione të tjera të sigurisë kanë shënuar rritje domethënëse në vitin 2022: rreth 60 për qind e të anketuarve kanë besim në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe 51 për qind në Agjencisë e Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Dogana e Kosovës me 46 për qind. Nga ana tjetër, institucionet e drejtësisë vazhdojnë të përballen me skepticizëm e mungesë besimi për shkak se besimi në Gjykata dhe Prokurori nuk ka shënuar rritje as këtë vit. Shkalla e besimit në këto dy institucionet është 30%”, thuhet në njoftim.
Sa i përket institucioneve qendrore, Presidentja e Kosovës renditet me besim relativisht të lartë nga të anketuarit në krahasim me Qeverinë dhe Kuvendin. Rrjedhimisht, Presidentja gëzon besimin e 59% të të anketuarve, përderisa Kuvendi i Kosovës me vetëm 25% dhe Qeveria e Kosovës me 33% përkatësisht. Këto dy të fundit kanë shënuar rënie të besueshmërisë në krahasim me vitin e kaluar.
Kundrejt tyre, besimi në komuna për këtë vit është 55%.
“Sipas të anketuarve, korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore të sigurisë kombëtare në Kosovë. 82% përmendën krimin e organizuar dhe 80% korrupsionin si dy fenomene që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe dëmtojnë sundimin e ligjit në Kosovë. Veç kësaj, të anketuarit nuk ishin të kënaqur as me performancën e Qeverisë së Kosovës në luftimin e korrupsionit apo krimit të organizuar, ndërsa vetëm 30 për qind e vlerësuan këtë të fundit si të mirë. Sidoqoftë, të anketuarit janë shprehur mjaft pozitivë sa i përket raportimit të korrupsionit në institucionet gjegjëse, pasi 66% prej tyre do të raportonin për raste korrupsioni tek institucionet përkatëse nëse do të ishin dëshmitarë të korrupsionit”, thuhet në njoftim.
Shumica dërmuese e të anketuarve nuk janë aspak të kënaqur se si zhvillohet procesi i punësimit në administratën publike. Ka një shkallë të lartë skepticizmi marrë parasysh se 86 për qind e të anketuarve mendojnë se nëpunësit civilë në administratën publike janë të punësuar në bazë të nepotizmit (lidhjeve familjare), lidhjeve politike dhe ryshfetit ose korrupsionit, kundrejt vetëm 11 për qind që perceptojnë se janë të punësuar në bazë të meritës dhe kualifikimeve.
Të anketuarit priren të jenë më pak pesimistë në lidhje me proceset e rekrutimit në sektorin e sigurisë në krahasim me administratën publike, megjithatë sfidat mbeten. Rreth 42 për qind ndanë perceptimet se të punësuarit në institucione të sigurisë punësohen më shpesh bazuar në meritat dhe kualifikimet e kandidatëve, ndërsa rreth 54 për qind e të anketuarve mendojnë se janë të punësuar përmes nepotizmit, lidhjeve politike dhe ryshfetit apo korrupsionit. /Telegrafi/