Stërzgjatje e punimeve, shkurtime buxhetore, ndryshime drastike në planin fillestar. Këto, si dhe pengesat administrative, e kanë penguar projektin për ndërtimin e Sheshit Skënderbeu në Shkup, përfundimi i të cilit duket ende i largët, raporton Tv Shenja.
Sheshi ishte paraparë që të ndërtohet në tri faza, me një kosto të përgjithshme prej afro 10 milionë eurove. Faza e parë kishte përfunduar qysh në mars të vitit 2013, me të cilën u bë rikonstruktimi i dyqaneve në afërsi të përmendores së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në fazën e dytë parashihej mbulimi i rrugës para urës hyrëse në Çarshi, dhe faza e tretë parasheh ndërtimin e parkingut nëntokësor. Mirëpo, që atëherë projekti ende është në fazën e dytë. Vonesa në fillimin e punimeve për fazën e dytë u shpjegua me nevojën për të marrë lejen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo pasi faza e dytë përfshin edhe ndërtimin e urës mbi bulevardin “Goce Dellçev”. Si rrjedhojë, Komuna dhe MPB kanë gjetur mënyra alternative për zhvillimin e trafikut gjatë kohës sa do të zhvillohen punimet, duke bërë kufizime në qarkullimin e trafikut. Por, kjo po shkakton kaos të vërtetë në trafik, i cili do të vazhdojë edhe me muaj të tërë. Qytetarët shprehen të revoltuar me këtë fakt, dhe thonë se punimet bëhen në kohën kur qarkullimi është shumë i dendur.
“Punimet zgjasin shumë. Ato deri tani duhej të kishin përfunduar. Po shkaktohet një kaos trafiku, e për këtë, nuk kanë faj qytetarët”, deklaroi një qytetar.
“Shumë po zgjasin shumë, tepër. Punimet duhet të bëhen në kohëra të përshtatshme, e jo në kohën kur qarkullimi është në maksimum”, tha një qytetar tjetër.
Përndryshe, me rishikimin e fundit të Buxhetit, për Sheshin Skënderbeu janë shkurtuar 13.47 për qind e mjeteve, ose 26 milionë denarë. Ky projekt ka hasur edhe në kritika të shumta në lidhje me ndryshimin e planit fillestar, e për këtë, kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, është shprehur se ndryshimi i planit është një gjë normale, duke e cilësuar këtë si një “evoluim të projektit”. E në ndërkohë, gjatë gjithë kësaj periudhe, në anën tjetër të Shkupit ka përfunduar një projekt siç është “Shkupi 2014”, me dhjetëra ndërtesa dhe qindra përmendore të reja!./Telegrafi/