Qytetarët ankohen se presin me orë të tëra deri sa të vijnë autobusët 9 dhe 19. Me një vendim të Këshillit të Bashkisë së Shkupit i sjellur me 13 dhjetor, Ndërmarrja e Qarkullimit Publik hoqi nga qarkullimi autobusët me numrat 9 dhe 19, që përshkojnë destinacionet nga Spitali i Shtetit dhe pjesa qendrore e qytetit deri në Fushë Tophanë dhe në Shutkë. Pas këtij ndryshimi për këto linja përkujdesen vetëm autobusët e kompanive private. Qytetarët ankohen me heqjen e autobusëve të këtyre linjave më të frekuentuara në Qytetin e Shkupit dhe për kaosin e shkaktuar në këto zona, raporton TV21.
“Autobusë nuk ka fare tash është shumë keq nuk kemi me çfarë të shkojmë në fshat… shumë keq është. Shumë vështirë e kemi nuk po mundemi, është problem prej në fshat të vijmë këtu. Nuk kalojnë tash, autobusë shtetërorë nuk ka, na duhet të presim nga 2 orë ose 3“, tha Fuat Ismaili, qytetar.
Mirëpo kaosi i shkaktuar dhe ankesat e pranuara nga ky ndryshim ka bërë së fundi që edhe këshilltarët shqiptarë të Qytetit të Shkupit të reagojnë për këtë ndryshim duke realizuar takim me kryetarin Koce Trajanovski dhe drejtorin e transportit publik.
Nga Bashkia e Shkupit thonë se do e shqyrtojnë kërkesën e këshilltarëve shqiptar, por sa i përket përgjigjes duhet të presim disa ditë./Telegrafi/