Site icon Telegrafi

Qytetarët ankohen për çmimin e lartë të parkingjeve, QKUK thotë se janë çmime të tregut

Ankesat e qytetarëve për çmimin e lartë të parkingjeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), po kundërshtohen nga zyrtarët e këtij institucioni, duke theksuar se këto janë çmime të tregut.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka theksuar se këto janë çmime të tregut, respektivisht çmimet që i kanë edhe parkingjet e institucioneve tjera.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka disa muaj që ka filluar me digjitalizimin e hyrje daljeve, me ç’rast janë vendosur edhe laurat (portë hyrëse – rampat) në hyrje të tre hyrjeve-daljeve të QKUK-së”, ka theksuar Fazliu.

Ai ka thënë për Telegrafin se në momentin e hyrjes me makina secili nga vozitësit mund të shoh hyrja është 50 cent, e pastaj kjo varet nga orët e qëndrimit.

“Secili vozitës për të hyrë në laurë, shtypë butonin ku del tiketa elektronike digjitale e cila shumë qartë ka të shkruar orën e saktë të hyrjes.  Secili vozitës me rastin e daljes lajmërohet tek kabina e daljes ku paguan dhe merr tiketën dalëse”, ka shtuar Fazliu.

Ai ndër të tjera tha se QKUK-ja apelon tek gjithë vozitësit që kanë mundësi të parkojnë veturat jashtë këtij institucioni, sepse sipas tij, hapësirat e QKUK-së janë të mbingarkuara.

“QKUK-ja ka mbi 3 mijë punëtorë, 2100 shtretër, dhe është mjaftë e  frekuentuar nga pacientët, familjarët dhe vizitorët e shumtë”, ka shtuar Fazliu.

Ndryshe, në adresën e Telegrafit qytetarët kanë raportuar për çmimin e lartë të parkingjeve në QKUK, duke thënë se ky çmim është i lartë dhe i padrejtë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version