Site icon Telegrafi

Qytetarët amerikanë i japin lamtumirën e fundit George Floyd, vëllai i tij porosit: Kërkojmë drejtësi, nuk do të lejojmë të mbyllet kjo derë

Afro-amerikani George Floyd, i cili ndërroi jetë derisa policët po tentonin ta arrestonin në Minneapolis, ka shkaktuar protesta në mbarë SHBA-të, por edhe në botë, ndërsa sot pritet të varroset në Houston  të Teksasit.

Trupi i tij është ekspozuar para qytetarëve për 6 orë gjatë një mbledhje komemorative në Houston para se të fillojë ceremonia e varrimit, transmeton Telegrafi.

Mbledhje komemorative ishin organizuar edhe në Minneapolis ku ndërroi jetë, në Redford, dhe në vendlindjen e tij në Karolinën e Veriut.

Në mbledhjen komemorative ishin prezent familjarët e viktimave tjera afro-amerikane që gjithashtu kishin shkaktuar protesta siç është rasti i Eric Garner, Michael Brown, Ahmad Arbery dhe Trevon Martin.

“Dhemb shumë”, tha Filonis Floyd, vëllai i George Floyd i cili nuk mund të ndalte lotët derisa përmendte disa emra para kishës.

“Do të kërkojmë drejtësi, dhe do ta marrim, nuk do të lejojmë që kjo derë të mbyllet”, ka shtuar ai, raporton Zëri i Amerikës.

Duke respektuar distancën sociale, pjesëmarrësit kanë hyrë në kishë duke bartur maska mbrojtëse. Çdo personi i është lejuar hyrja vetëm për disa sekonda për t’i dhënë lamtumirën e fundit Floydit, që qëndronte i shtrirë në arkivolin e artë.

Shumë vizitorë bartnin bluza me mbishkrimin “Black Lives Matter” si dhe fjalët e fundit të Floyd “I Can’t Breathe”. Madje disa këndonin këngën “Lean on me”, kurse shefi i policisë në Houston është përqafuar me disa pjesëmarrës.

Senatori Joe Biden, kandidati i ardhshëm nga radhët e Demokratëve në garën presidenciale në SHBA, është takuar me familjarët e Floydit në Houston.

Familjarët kishin lejuar qytetarët të shohin arkivolin e Floydit, kurse raportohet se mijëra qytetarët ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër, gjykatësja Jennis Redding ka urdhëruar kaucionin prej 1.2 milion dollarë për Derek Chauvin, ish-policin e Minneapolisit, të akuzuar për vrasjen e George Floyd.

Chauvin nuk ka qenë fizikisht prezent në sallën e gjyqit për shkak të masave mbrojtëse kundër coronavirusit, duke u shfaqur përmes një video-linku. Ai u shfaq në ekran me pranga në duar dhe rrobat ngjyrë portokalli.

Kundër policit Chauvin janë ngritur padi për vrasje të shkallës së dytë, shkallës së tretë dhe vrasje me paramendim. Avokati i tij Eric Nelson, deri më tani nuk ka dhënë detaje lidhur me procesin gjyqësor.

Kujtojmë që Floyd ndërroi jetë më 25 maj derisa policët po tentonin ta arrestonin, ku Chauvin i mbajti gjurin mbi qafë për 8 minuta e 45 sekonda e Floyd qëndronte me fytyrë i shtrirë në asfalt. Vdekja e tij nxiti protesta masive për diskriminim racor dhe brutalitetin e policisë në SHBA.

Presidenti amerikan Donald Trump, premtoi se nuk do të ketë ndryshime dhe zvogëlim të buxhetit në policinë amerikane. Ai gjatë një takimi me përfaqësues të policisë në Shtëpinë e Bardhë shtoi se zyrtarët policorë “janë njerëz të shkëlqyer”. /Telegrafi/

Exit mobile version