Site icon Telegrafi

Qytetar privat apo indiferent social?

Padyshim, në jetën e sotme shoqërore të post-tranzicionit shqiptar, është e natyrshme që te njerëzit dhe në mënyrën e komportimit social të tyre, të ketë paqartësi konceptuale për modernitetin dhe performancën e sjelljes qytetare, për mënyrat e ndërtimit të raporteve të lidhjeve interpersonal dhe komunikimit social të qytetarit me të “tjerët” dhe shoqërinë. Ndryshimet që kanë ndodhur në jetën e sotme të shoqërisë shqiptare janë të mëdha. Por, me sa duket, në të njëjtën kohë të mëdha janë edhe kuptimet dhe keqkuptimet për mënyrën qytetare të jetuarit. Sepse, njerëzit tanë duke u larguar dy dekada më parë nga “jeta në kazermë”, ku çdo qytetar ishte pa liri personale dhe tërësisht i lidhur me zinxhir social pas shtetit dhe shoqërisë së madhe, tani kanë kaluar në “shoqërinë e vogël” dhe për pasojë duket qartë që qytetarët tanë nuk e kanë shumë qejf sundimin e “domenit shoqëror”. Kjo është njëra nga arsyet e mëdha, që tani ka filluar të shfaqet gjerësisht fenomeni i qytetarit, që duke zmadhuar dimensionin e natyrshëm të “individit privat” po kalon në territorin social të “qytetarit indiferent”.

Problemi është se në shoqërinë tonë për arsye specifike të trashëgimisë së kaluar dhe veçorive partikulare të tranzicionit, fenomeni i zgjerimit të përmasave të indiferentizmit ka filluar të pranohet. Madje edhe të pëlqehet duke e konfonduar esencën e tij të deformuar me lirinë, privacinë, emancipimin social etj. Kjo është arsyeja pse shkaqet e dimensionit të “pështirë” të indiferencës qytetare, duhen analizuar dhe vlerësuar me kujdes. Sepse ka ardhur koha që duhen llogaritur më mirë ndikimet që kanë dhe pasojat sociale që sjellin. Jo vetëm në jetën e përditshme, por dhe në të ardhmen e qytetërimit tonë. Sociologjikisht është e natyrshme të pranohet se momentalisht shoqëria jonë është në fazën, që në turbulencat e tranzicionit social dhe moral, qytetarët nuk e kanë të lehtë të bëjnë dallime (nuk është fjala për aftësi teorike) midis mundësive të mëdha të zgjerimit të kufijve të tolerancës qytetare (kjo është gjë e mirë) dhe përhapjes së patologjisë së indiferentizmit të pështirë qytetar.

Besoj se nuk është vështirë të konstatosh, se tani jetojmë në një shoqëri të re, por në të cilën për fat të keq në kulturën e jetës së përditshme qytetare, toleranca shtrembërohet në diçka të tillë siç është indiferentizmi qytetar. Është defekt serioz të mos dallosh tolerancën nga indiferentizmi qytetar. Vërtet nga jashtë ato ngjajnë shumë, por që në fakt janë të kundërta me njëra-tjetrën. Indiferentizmi, pavarësisht përmasave dhe formave të shfaqjes që ka marrë në shoqërinë tonë, objektivisht është fenomen sociologjikisht i parashikuar që do të ndodhte. Sepse në zhvillimet analoge të shoqërisë moderne të vendeve të tjera, ai është shfaqur në forma dhe trajta të ngjajshme. Indiferentizmi social, qoftë normal apo edhe në përmasa të “pështira”, në shoqërinë tonë po ravijëzohet në mënyrë konsistente dhe shfaqet statistikisht në zgjerimin masës së qytetarëve që janë indiferentë. Kjo patologji sociale e përmasave jo të vogla ka dhënë impaktet e veta në jetën qytetare.

Madje, pa frikë mund të pohojmë se ajo po bëhet bazë për krijimin e një “shumësie sociale” qytetare, që gabimisht dhe në mënyrë naive mendojnë, se në kohën moderne indiferentizmi social, është jo vetëm gjë e mirë, por dhe e vetmja mënyrë që të jetosh i “lirë” dhe pa “parime sociale”. Padyshim, është koha që po favorizon përhapjen e përshpejtuar të fenomenit të indiferentizmit. I cili ka filluar të konsiderohet si kuintesencë e modernitetit social, si mënyrë dominuese jetese e njerëzve që hiqen si modern dhe të emancipuar.

Epidemia e indiferentizmit qytetar buron, ushqehet nga mentaliteti reduksionist dhe idetë e deformuara të njerëzve, që këtë mënyrë të jetuari në indiferencë sociale totale e ekuivalentojnë me lirinë sociale dhe modernitetin qytetar. Madje, ka marrë përhapje ideja, që madhësinë e shfaqjes së indiferentizmit qytetar e konsiderojnë si shenjë të pjekurisë së qytetërimit tonë. Kjo është arsyeja pse ndodhemi në një situatë sociale, kur po shtohen qytetarët, të cilët të ushqyer me këtë ekuivalentim të deformuar të qytetërimin me indiferencën sociale, përvetësojnë dhe aplikojnë mekanikisht të gjitha ekzibicionet e modave kalimtare qytetare dhe mënyrave të sjelljes ekzibicionale. Ka një ligj gati universal të modernitetit dhe funksionimit social të shoqërisë moderne, sipas të cilit format e sjelljes së qytetarit nuk janë thjesht vlera etike dhe vlerësime formale sociale.

Përkundrazi, zhvillimet e kohëve të fundit në shoqërinë shqiptare tregojnë se këto vlera janë në të vërtetë esencë e vlerësimit të nivelit të zhvillimit social të angazhimit dhe roleve publike të qytetarit individualisht dhe të qytetërimit tonë përgjithësisht. Struktura urbane në zgjerim, thellimi i tendencës individualiste dhe zgjerimi i formave të mënyrës tejet private të të jetuarit, janë ose më saktë duhen konsideruar si disa nga shkaqet thelbësore, që kanë ndikuar dukshëm në përhapjen e konformizmit, pajtimin pasiv me të keqen sociale dhe me indiferentizmin qytetar. Praktikisht duhet të bëhemi koshientë që këto dy plagë sociale në shoqërinë tonë janë bërë epidemi sociale e vërtetë.

Është në natyrën e shoqërisë moderne që të krijohen kushte të vetvetishme politike, ekonomike e sociale në të cilat njerëzit, duke qenë gjithnjë e më shumë individualistë dhe të palidhur nga motive sociale, përshtaten me formatin e jetës së ndërtuar shpesh me qytetarë të “panjohur” me njëri-tjetrin, nga që qytetet tona janë bërë habitate dhe ambiente sociale ku përzihen pa u ndier vendasit dhe të huajt, dhe për pasojë e mendojnë si vlerë spikatjen e indiferentizmit qytetar, si element të emancipimit të jetës publike, mënyrë e kohës për “kulturimin e sjelljes qytetare”.

Kjo mënyrë të menduari që është gjithnjë e më shumë në përhapje, është një nga shkaqet që indiferenca dhe konformizmi janë bërë nxitës të pranimit në heshtje të ideologjisë së kaotizmit qytetar, të përshtatjes duke u mbyllur në guaskën e ngushtë të intimitetit personal si formë e përshtatjes me mënyrën e jetesës në qytetet kaotike. Kjo është situatë që është evidente në shoqërinë tonë, e cila favorizon te qytetarët mentalitetin konformist. Bashkë me të është në zgjerim edhe tendenca sociale që ndikon më në përhapjen e iluzionit, se indiferenca publike dhe indiferentizmi privat e bëjnë më të bukur jetën qytetare, duke i konsideruar ato si “instrumente të modernitetit”, mënyrë jetese për përshtatjen dhe adoptimin e “kulturuar” me mjediset sociale të qyteteve tona.

A është e vërtetë kjo, apo ky është një iluzion që indiferentizmin e ka bërë një plagë sociale të madhe? Që mbase tashmë është në atë dimension që pa frikë mund ta quajmë me fjalët e filozofëve dhe intelektualëve amerikanë I. Buruma dhe A. Margalit si “indiferentizëm i pështirë”. Madje, sipas tyre, duhet treguar shumë kujdes nga kjo indiference, që me kalimin e viteve mund të na shkatërrojë qytetet dhe kulturën e qytetërimit tonë. Sepse qytetar do të thotë së pari njeri shoqërisht i shqetësuar. Njeri jo konformist, kameleon, frikacak, oportunist, intelektual pelte, ambiguid, qenie me dy faqe, pa personalitet dhe peshë sociale, i adaptuar me situatat e ndryshuara dhe i përputhur me to, pa guxim qytetar. Natyrisht, në shfaqjen e fenomenit të indiferentizmit qytetar dhe zgjerimin e tij deri në përmasa të pështira urbane, ka ndikime që janë me natyrë sociale, por dhe të lidhura me natyrën dhe karakterin personal të qytetarit. Koha prej dy dekadash dhe beteja e madhe e qytetërimit tonë me dogmat e trashëguara të komunizmit, ka dhënë në përgjithësi efekte pozitive në ndarjen e shoqërisë tonë nga e kaluara e shëmtuar supersociale dhe kolektiviste. Në jetën e shoqërisë dhe në ravijëzimin e individualitetit qytetar të njeriut, janë krijuar kushte të reja për lulëzimin e lirisë sociale dhe personale. Por zgjidhjet sociale asnjëherë nuk janë të kulluara dhe nuk zhvillohen në trajtë ideale. Ky indiferentizëm i pështirë mbështillet me ambalazhet e modernitetit, me natyrën tolerante të qytetarit, me mosndërhyrjen në jetën private të njeriut etj.

Po a ka bazë reale shfaqja e këtij indiferentizmi apo është çështje mode e kohës, e lidhur me natyrën e ekzibicionizmit personal të qytetarit indiferent dhe konformist. Padyshim, lufta e shoqërisë tonë me dogmat e shoqërisë së madhe dhe natyrën e deformuar të “qytetarit revolucionar” që vendoste interesat e shoqërisë mbi ato të individit, duket se ka dhënë goditje rrafshuese mbi parimet sociale dhe vlerat morale të shoqërisë. Vendin e “qytetarit aktiv” të djeshëm, që ishte një vegël e thjeshtë e mekanizmit të “automatizmit shoqëror”, po e qytetari tejet indiferent, që nuk do t’ia dijë për asgjë që është “përtej vetes” dhe interesave të tij, që përmasat e zmadhuara të dikurshme të sensit social të imponuar, si kundërpërgjigje i ka zëvendësuar me plotësimin e kërkesës së jetës për “racionalitet të thjeshtë” të llogarive indiferente personale. Shpesh ecën pa kuptuar në rrugën e indiferentizmit, ngaqë po adoptohet pasivisht në mënyrë të deformuar me filozofinë individualiste, sipas të cilës në kohën e sotme nuk ka vlera të përgjithshme, që mund të jenë përtej fakteve dhe llogarive personale.

Kjo është arsyeja pse në shoqërinë tonë vendin e shumicave sociale të vjetra qytetare të kohës së shkuar, po e zënë shumicat e reja të qytetarëve që janë indiferentë për të “tjerët” dhe shoqërinë, që jetojnë të mbyllur në kufijtë e guaskës së ngushtë personale, pa shumë lidhje dhe interesime sociale. Nuk besoj se ka mendje të shëndoshë që të mendojë se indiferentizmi qytetar do e ndihmojë shoqërinë tonë. Ca më keq në se ka të tillë që mendojnë se indiferentizmi qytetar nuk është fenomen i “pështirë”, por “çimento sociale”, ose më saktë se ai mund të shërbejë si “ngjitës ideologjik” që mban bashkë dhe formon një “shumicë të re qytetare të heshtur”. Që në të vërtetë duhet pranuar se as nuk i shërben të sotmes, por nuk është shpresëdhënëse as për ardhmërinë, perspektivën e qytetërimit tonë…

(Marrë nga: Shqip)

Exit mobile version