Në krejt fetë abrahamike – judaizëm, krishterim e islam – për tërë të ligat që ndodhin në këtë botë fajtor njihet djalli apo shejtani. Lufta kundër tij është posaçërisht e shprehur në teologjinë islame. Mirëpo, predikuesit e kësaj feje sot sikurse harrojnë të fajësojnë largqoftin për dëmet kryesore: mjerimin e myslimanëve dhe mbi të gjitha ekstremizmin e militantizmin islamist
Bashkësia Islame e Kosovës dënoi ashpër të enjten vrasjen e dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve në Frankfurt të Gjermanisë nga një shqiptar me prejardhje prej Kosove. Mirëpo, kumtesa e BIK-ut (http://bislame.net/web/content/view/484/1/), e hartuar nga njerëz akademikë dhe me një gjuhë të matur përmbante një ngjyrim më tepër qytetar e atdhetar sesa teologjik-fetar. Mbase për shkak të gjendjes në vendin tonë, është dashur që deklarata e organizatës të përbëjë sa më tepër një paralajmërim kundër fundamentalistëve fetarë dhe shejtanit.
Këtë të fundit, që njihet dhe me emrin iblis, e krijoi Zoti si engjëll, duke i dhënë edhe vullnetin e lirë. Por këtë dhuratë e keqpërdori djalli, i cili nuk iu bind urdhrave të Perëndisë dhe fitoi mallkimin e tij të përjetshëm. Besimtarët thonë se shejtani do të digjet në xhehenem pas Ditës së Gjykimit, por se deri atëherë ai do të shkaktojë të gjitha të këqijat e kësaj bote dhe do të shtyjë njerëzit të veprojnë kundër Allahut. Sunduesi i botëve është i plotfuqishëm dhe i pagabueshëm, andaj vetëm një qenie si shejtani mund të shkaktojë të këqijat, të cilave pa dyshim se një ditë do t’u vijë fundi.
Sot gjithandej nëpër Kosovë e troje shqiptare, davetçinjtë që predikojnë fenë islame thonë se largqofti është shkaktar i shumë anomalive në shoqërinë tonë. Djalli fajësohet për shthurjen e moralit familjar, për abuzimin e narkotikëve, për të rinjtë që s’po mësojnë, për korrupsionin, prostitucionin e shumë të tjera. Dhe me të drejtë tellallët e devotshëm të fesë thonë se secili prej nesh do të ndëshkohet për veprimet e veta nëse nuk pendohet dhe nuk kërkon hirin e Perëndisë.
Na thonë se shejtani mund të na paraqitet në forma të ndryshme dhe të na mashtrojë, duke na çuar rrugës së gabuar. Shpeshherë qëllimi i një pohimi të tillë përkon me rrugën e drejtë, duke kërkuar që njerëzit të përqafojnë vlera të larta morale dhe t’i ruhen udhës së keqe të shejtanit. Ka edhe aso raste, megjithatë, kur si shteg i ndaluar që nuk duhet të ndiqet akuzohet ai që shpie popullin tonë drejt perëndimit, demokracisë e tolerancës. A mos nuk është e logjikshme që t’i shmangemi mu këtij udhëzimi, që ngjason me një porosi perfide të nisur nga shejtani?
Kur hoxhallarët dhe predikuesit e fesë islame në trojet tona i bëjnë thirrje xhematit të mos mëkatojnë duke rënë pre e shejtanit, ndikimi i derseve të tilla është i pamohueshëm. Sidoqoftë, kanë munguar këshillat për t’u larguar nga ata që me petkun e myslimanit mund t’i shtyjnë besimtarët t’i shërbejnë armikut të Zotit të tyre. Ndofta është me vend që duke njohur rrethanat, Bashkësia Islame e Kosovës të urdhërojë imamët e vet t’ua rikujtojnë besimtarëve sfidën e madhe që paraqet sot shejtani për ta – se largqofti mund t’u paraqitet edhe si mysliman dhe t’i bindë ata të kryejnë vepra të dënueshme, që e zemërojnë së tepërmi Krijuesin tonë hirplotë.