Më 13 prill, në komisionin për Siguri të Kuvendit të Kosovës, deri sa zhvillohej një debat i hapur rreth gjendjes në veri të Mitrovicës – me theks të posaçëm rreth rastit të vrasjes së Selver Haradinajt dhe (mos)reagimit të Policisë së Kosovës – njëri nga deputetët serbë të këtij komisioni, Goran Marinkoviq, jo që nuk kontribuonte në mbarëvajtjen e punës, por me kërkesa provokative sillej sikur të ishte ai viktima.
Ky deputet mbronte me ngulm serbët e Serbinë dhe institucionet e këtij shteti, duke shtuar se ata nuk janë fajtorë për këtë gjendje në Mitrovicën veriore. Bënte paralelizma me rastin e Graçanicës, kur disa tifozë shqiptarë ishin kacafytur me disa të rinj serbë, pastaj “vajtonte” për arrestime të policëve të MUP-it serbë dhe të disa liderëve të strukturave paralele në Anamoravë. Gjatë diskutimeve bëri edhe shumë krahasime tjera banale që nuk korrespondonin fare me sulmin terrorist në banesën e të ndjerit Haradinaj.
E ceka këtë rast si shembull i cili është identik me diskutimin edhe të një deputeteje tjetër serbe të Parlamentit të Kosovës (Vesna Mikiq), që u zhvillua më 18 prill, kur diskutohej pikërisht për veriun Në një debat të mëhershëm në po këtë Parlament, ajo pat akuzuar Policinë e Kosovës duke e quajtur terroriste, ndërsa pat premtuar publikimin e një liste të liderëve shqiptarë që mbajnë pasaporta serbe (gjë të cilën nuk e bëri). Kësaj radhe, me diskutimin e saj ajo akuzoi të gjithë folësit e mëparshëm që, sipas saj, nuk po kontribuojnë në stabilizimin e situatës, nuk po e thonë të vërtetën, por “po e kërcënojnë sigurinë dhe jetën e serbëve, jo vetëm në veri të Mitrovicës, por edhe në Anamoravë”.
Nga kjo deputete iu bënë kritika Policisë së Kosovës, por jo për mosveprim, por për veprim të mundshëm. Për këtë deputete që paguhet nga buxheti i Kosovës, si duket këta policë janë halë në sy!
Në linjë të njëjtë janë edhe diskutimet e shumta që janë organizuar dhe po organizohen nga shumë OJQ që veprojnë në Kosovë e më gjerë, shpeshherë me panelistë “multietnikë”, ku nuk mungojnë kritikat dhe akuzat e rënda për institucionet e Kosovës, për luftën, liderët, pjesëtarët e UCK-së, pastaj ”për mos tolerancë e mos gatishmëri për zhvillim të demokracisë mes komuniteteve”. Por, në të shumtën e rasteve, të gjitha këto po kalojnë në heshtje, pa kundërshti, pa polemika e kërkesa argumente konkrete, apo edhe kërkim falje. Kjo nuk po ndodh, as në këtë Parlament.
Me këso veprime, por edhe tolerime e heshtje, lihet përshtypja sikur ne kosovarët jemi agresori edhe në luftën e fundit; se ne kemi shkuar dhe kemi sulmuar Serbinë; se ne kosovarët kemi bërë gjenocid e kemi vrarë 13 mijë persona në Serbi; se kemi plaçkitur, djegur e zhvendosur afër një milion serbë nga Serbia; sikur ne kemi struktura paralele e shtetërore; sikur ne kemi barrikaduar rrugët në Sërbi; sikur ne po shkojmë e organizojmë zgjedhje në Serbi; sikur ne po arrestojmë policë serbë në territorin e Serbisë; sikur ne jemi konfliktual jo vetëm me Serbinë, por edhe me Evropën e botën… prandaj, duhet jo vetëm të heshtim por të pajtohemi me atë çka kërkon dhe dëshiron Serbia!
Nëse ne kërkojmë pa kompromis të mbrojmë me çdo kusht të drejtat tona, kuptohet pa u cenuar edhe të drejtat e të tjerëve që i njohin dhe respektojnë këto Institucione që i kemi, atëherë kemi kryer obligimin tonë primar ndaj vendit dhe Kushtetutës. Por, gjithashtu, u tregojmë edhe gjithë ndërkombëtarëve se nuk tolerojmë që për hir të tekeve të disa qarqeve burokratike nga jashtë, të zhbëjmë apo zhvlerësojmë ato për të cilat kemi sakrifikuar.
Si duket – e po shihet edhe nga avioni – sindromi “vjedhja në harmoni me vendorë e ndërkombëtarë” është diagnoza që na ka verbuar, dhe fare nuk po shohim. Kur kësaj ia shtojmë pushtetin dhe paranë, atëherë me të drejtë në popull thuhet: ”Qysh jemi, edhe punët i kemi”!