Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka folur lidhur me iniciativën e presidentit Thaçi për transformimin e FSK-së në Ushtri.
Quni është shprehur se e mbështet këtë iniciativë, por mund të ketë dilema për të, nëse kjo është vetëm një vetë-iniciativë e presidentit Thaçi.
“Ne deputetët e Parlamentit më 12 shkurt kemi votuar një Rezolutë ku obligohet Qeveria që të hartojë një strategji që siguron transformimin e FSK-së. Brenda rezolutës theksohet se kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me NATO-n dhe me SHBA-në”, tha Quni në “Ora e Fundit” në Klan Kosova.
“Iniciativa e Thaçit është në frymën e kësaj rezolute, nëse supozojmë që kjo iniciativë nuk është në koordinim me NATO-n atëherë shpreh rezerva dhe dilema mbi këtë temë”, ka thënë Quni.
Sipas tij, kjo iniciativë duhet patjetër të këtë një mbështetje të fuqishme nga SHBA-të, NATO dhe të gjithë partnerët strategjikë të Kosovës.
“Presidenti duhet të garantoje që e ka mbështetjen e fuqishme të partnerëve strategjikë. Pa mbështetjen e tyre do të sfidohemi”.
“Nëse Thaçi nuk është konsultuar me SHBA-të dhe NATO-n atëherë ky zhvillim të FSK-së, në një avancim më të lartë mund të vihet në pikëpyetje sepse ndërprerja e marrëdhënieve është një perspektivë jo e mirë vetë për FSK-në, institucionet, sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, tha Quni. /Klan Kosova/