Site icon Telegrafi

Quni priti në vizitë homologun italian, flasin për bashkëpunimin ndërmjet dy ushtrive  

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni priti në vizitë zyrtare, homologun e tij, ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, Lorenzo Guerini me delegacionin e tij të lartë ministror, diplomatik dhe ushtarak.

Në takimin bilateral në mes dy delegacioneve respektive, ministri Quni, e falënderoi ministrin Guerini për vizitën e tij edhe pse në rrethana të veçanta të krijuara nga kriza e pandemisë.

Quni, gjithashtu shprehu mirënjohjen e lartë për Republikën e Italisë, si vend mik, në mbështetjen e ofruar në të gjitha periudhat e vështira në të cilat ka kaluar vendi dhe populli i Kosovës në të gjitha fushat.

Ai nënvizoi përkrahjen e madhe gjatë dhe pas luftës, në ndërtimin dhe arritjet e deritashme të vendit e posaçërisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes po ashtu theksoi edhe rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Italisë dhe Forcat e Armatosura të saj, duke pasur parasysh përvojën e madhe italiane në procesin e integrimeve euroatlantike dhe forcave ushtarake italiane në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi.

“Në vazhdim, ministri Quni shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë të ushtarakëve italian në cilësi të këshilltarëve bilateral dhe atyre në kuadër të Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s, që nga fillimi i ndërtimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Eksperiencën e tyre, ai e vlerësoi shumë të rëndësishme duke pasur parasysh fokusin në ngritjen e forcave të ndërveprueshme për pjesëmarrje cilësore në operacione paqeruajtëse”, thuhet në njoftim.

“Pjesëmarrja në operacionet e paqes është ndër detyrat kryesore ligjore të FSK-së, andaj edhe synim yni është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat italiane dhe forcat tjera të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-s. Ky synim do të kurorëzohet me ofrimin e mundësisë për ofrimin e kontributit tonë në kuadër të forcave shumëkombëshe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë”, tha ndër të tjera ministri Quni.

Ndërkaq, ministri Guerini konfirmoi angazhimin e Republikës së Italisë në paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon përmes KFOR-it.

Ai shprehu interesimin për shtimin e dinamikës në implementimin e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar para dy viteve në mes dy ministrive dhe shprehu zotimin e tij për angazhimin dhe përkushtimin maksimal për të mbështetur vizionin e lidershipit të Ministrisë dhe FSK-së në planin politik, diplomatik dhe atë ushtarak për të ardhmen.

“U siguroj se Republika e Italisë do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive perspektivën euro-atlantike të Kosovës duke theksuar se do të intensifikohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi bilateral në funksion të interesave tona të përbashkëta”, tha ndër të tjera, ministri Guerini.

Në vazhdim të diskutimeve, dy ministrat u pajtuan që ndër hapat e parë të viti të ardhshëm të jenë vizitat e ndërsjella të dy shefave të mbrojtjes, respektivisht gjeneral Ramës dhe gjeneral Vecciarelli, për të konkretizuar aktivitetet bashkëpunuese bilaterale.

Exit mobile version