Site icon Telegrafi

Quni pret në takim ambasadorin slloven, konfirmohet mbështetja e Sllovenisë për fushën e sigurisë

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka pritur sot në një takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj.

Në njoftim të bërë për media nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se në fillim, ambasadori Bertoncelj uroi ministrin Quni dhe gjithashtu i solli letrën e urimit të dërguar nga homologu i tij slloven, pas marrjes së detyrës së Ministrit të Mbrojtjes.

“Ai në fjalën e tij, shprehu gatishmërinë e shtetit slloven dhe mekanizmave të saj të sigurisë dhe mbrojtjes në mbështetjen e mëtejmë në arritjen e objektivave të Ministrisë në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes dy ministrive dhe forcave”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Ministri Quni, nga ana e tij falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritashme të Sllovenisë në të gjitha fushat, qoftë përmes kontributit të kontingjentit ushtarak në kuadër të KFOR-it, qoftë në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të Ministrisë dhe Forcës përmes oficerëve e zyrtarëve të saj, në Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s.

Ai gjithashtu kërkoi ofrimin e mbështetjes së Kosovës në rrugën e integrimit evropian në BE dhe euroatlantik në NATO, si dhe përvojën e tyre për aderim në strukturat përkatëse.

Ministri Quni, rreth interesimit të ambasadorit Bertoncelj, për propozimin lidhur me shërbimin e obligueshëm ushtarak.

“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, janë në proces të realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, proces i cili do të zhvillohet në mënyrë transparente, brenda kornizës kohore të planifikuar, në transparencë të plotë dhe si gjithmonë në koordinim të plotë me partnerët tanë”, ka thënë Quni.

Në fund të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit edhe më tej në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Në takimin përkatës, Ministri Quni shoqërohej nga shefi i Kabinetit, Jashar Ramadani dhe këshilltari ushtarak kolonel Hamdi Pollomi./Telegrafi/

Exit mobile version