Pas situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19 dhe me qëllim të informimit nga afër me nivelin e gatishmërisë operacionale të njësiteve të angazhuara në Forcën për Detyrë, sot ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka vizituar Regjimentin e Tretë të Forcave Tokësore në Mitrovicë.
Me këtë rast, nga ana e zëvendës komandantit të Regjimentit të Tretë, Nënkolonel Avni Kiçina, Ministri Quni u njoftua me planin e gatishmërisë, nivelin e koordinimit me komandën superiore, veprimet e deritashme si dhe nivelin e gatishmërisë së kapaciteteve njerëzore specialistike, material, teknike dhe mbështetjes logjistike të regjimentit përkatës.
Ministri Quni shprehu vlerësimin e lartë për njësinë përkatëse dhe inkurajoi pjesëtarët e saj për përgatitjet e duhura, motivin dhe moralin e lartë të dëshmuar si gjithmonë mbështetjen e plotë ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në përballje me sfidën aktuale që po kalojmë.
“Në këtë rrethanë të jashtëzakonshme, ku është me rëndësi jetike shëndeti i qytetarëve, Ministri Quni theksoi domosdoshmërinë që FSK, të jetë e gatshme të ju shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike dhe gjithnjë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me KFOR-in. Menaxhimi me sukses i kësaj situate është edhe një provë konkrete se FSK dhe Kosova po tregojnë pjekurinë e duhur institucionale dhe shtetërore që të jenë pjesë e NATO-s”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes./Telegrafi/