Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni i është kundërpërgjigjur Driton Selmanajt i cili tha se Lumir Abdixhiku shkoi me “turr e vrap” për t’u takuar me Vjosa Osmanin.
Quni me anë të një shkrimi në Facebook, thotë se Lumiri ishte i fundit që shkoi në takim, dhe se ishte në konsultim me strukturat e LDK-së.
“Lumiri ishte i fundit nga liderët e partive që takoi, zj. Osmani; në konsultim gjithëpërfshirës me strukturat e LDK-së. Nuk kishte as ‘turr’ e as ‘vrap’! LDK-së po i ri-kthehet dinjiteti me hapa shumë të sigurt”, ka shkruar Quni, përcjell Telegrafi.
Selmanaj ka thënë se çdo përpjekje për ta nda apo diferencuar Osmanin nga Kurti dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferuar mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik.
“‘Turri dhe vrapi’ për ta takuar Vjosën, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve QËNDRESTARË të saj”, kishte reaguar Selmanaj.
Ndryshe zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj, i cili ka fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk është përfshirë nga Lumir Abdixhiku në listën e anëtarëve të kryesisë së re të LDK-së. /Telegrafi/